Në hapje të Këshillit Europian, që po zhvillohet këto ditë në Bruksel, Presidenti i Parlamentit Europian Martin Schulz ka shfrytëzuar rastin për të bërë një apel politikës evropiane për bashkëpunim, solidaritet dhe fleksibilitet përballë politikave të migrimit.
Schulz ka theksuar, se drama e Lampeduzës ilustron politikën europiane përballë refugjatëve dhe se, kjo dramë duhet të shënojë një kthesë në historinë e kësaj politike.
“Përgjatë 20 viteve të fundit, më shumë se 20 mijë emigrantë kanë humbur jetën duke tentuar të kalojnë brigjet evropiane”,- ka vazhduar Schulz, duke shprehur zhgënjimin e Parlamentit pas dështimit të Shteteve Anëtare, për të treguar fleksibilitetin e nevojshëm për të administruar fluksin e migrantëve, në një mënyrë njerëzore dhe efikase.
“Për të ndihmuar shtetet mesdhetare për të mirëpritur refugjatët dhe për të siguruar një shpërndarje të barabartë midis shteteve anëtare, ne duhet të tregojmë solidaritet europian. Për këtë bëhet fjalë sot”, – insistoi Schulz, duke theksuar se, si vetëm disa ditë pas tragjedisë së Lampeduzës, kjo pikë u vendos në fund të rendit të ditës.
“Europa ka nevojë të ndërmarrë një veprim të menjëhershëm për të ndihmuar personat në rrezik në det, por gjithashtu për një sistem migrimi legal për të administruar problemin. Sigurisht Europa as mund të shpëtojë, as mund të mirëpres të gjithë”, – tha Schulz. “Gjithsesi ne jemi më të pasurit e kontinentit dhe në këtë drejtim ne mund të bëjmë më shumë, kryesisht nëse veprojmë së bashku, nëse kërkojmë së bashku zgjidhje dhe nëse marrim së bashku përgjegjësi”,- tha ai.
Parlamenti Europian gjatë debatit në seancë plenare mbi politikën ndaj refugjatëve, pas tragjedisë së Lampeduzës, bëri thirrje gjithashtu për një përpjekje të koordinuar të Bashkimit Europian të inspiruar nga solidariteti dhe përgjegjshmëria./i.t/