Samaras në SHBA, do takojë presidentin Obama

54

Antonis SamarasKryeministri i Greqisë Antonis Samaras mbërriti në SHBA, ku më datën 8 gusht do të takohet në Shtëpinë e Bardhë me presidentin amerikan Barak Obama. Takimi Obama-Samaras do të fokusohet kryesisht në çështjet e ekonomisë.

Para se të takojë presidentin e Amerikës, kryeministri grek, do të takojë sekretarin e Jashtëm John Kerry. Takimi do të trajtojë të gjitha çështjet e politikës së jashtme, si çështjen e emrit të Maqedonisë, marrëdhëniet greko-turke dhe çështjen e Qipros.

Samaras do të ketë kontakte me krerët e grupeve të mëdha amerikane të investimeve greke. Të premten, ai do të ketë takime me kryetarin e Bashkisë së Nju Jorkut Michael Bloomberg, Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së Ban Ki-Moon, me përfaqësues të diasporës greke dhe me kreun e këshillit greko-amerikan.

Programi i kryeministrit grek përfshin edhe kontakte me stafin gazetaresk të “Washington Post” dhe “New York Times”.

Samaras gjithashtu do të vizitojë Zonën “Zero”, vendi ku ranë kullat binjake dhe do të shohë ndërtimin e kishës së Shën Nikollës.