Reforma në administratën publike, Sequi: Brukseli i angazhuar në proces

59

ettore-sequi-602x401Në seminarin e organizuar ditën e sotme në Tiranë, nga Ministria e Inovacionit, me temë “Reforma në Administratën Publike” ka qenë prezent edhe Ambasadori i BE, Ettore Sequi.

Ministrja e Inovacionit Milena Harito ka deklaruar se, reforma në administratën publike do të hartohet në përputhje me ligjin dhe se deri më 30 dhjetor do të ketë mbaruar faza e konsultimeve me grupet e interesit.

“Të gjitha aktet nënligjore janë rishikuar nga ekspertët dhe do të konsultohen me grupet e interesit brenda datës 30 dhjetor. Deri në 15 janar pritet të mbyllet procedura për dërgimin e tyre në këshillin e ministrave për tu miratuar”, -tha Harito.

Ndërsa ambasadori i BE-së, Ettore Sequi ka deklaruar se reforma në administratën publike është e rëndësishme dhe se vëmendja e Brukselit do të jetë e lartë. Sequi theksoi se, administrata publike duhet të jetë e qëndrueshme e paanshme dhe e papolitizuar.

“Interesi rreth kësaj çështjeje është mjaft i madh. Kolegët në Bruksel do të jenë mjaft të angazhuar me reformën në administratën publike. Reforma ka një rëndësi shumë të madhe për cilësinë e shërbimeve para qytetarëve dhe administrata publike duhet të jetë e qëndrueshme, e paanshme dhe e papolitizuar”, tha Sequi.