Rama violinë e fundit?

50

edi rama 6Nga Reldar DEDAJ

Konsensusi një superfuqi? Kjo nuk është edhe aq e sigurtë…Dje, ndërkohë që lidhjet e pozitës me opozitën ende nuk ishin këputur përfundimisht, anipse, të brishta, të ngadalta, belbëzuese, komunikimi mes tyre, me siguri pararendës i vlerave demokratike, duhet të ndriçojë po aq sa konsensusi në vetvete, liria dhe ndoshta kursi i politikës së vjetër edhe pse është hedhur në det me anije të re, duhet të ndryshojë përfundimisht kah; nga sa më parë.

Sot, “Qeveria konstruktive” që pretendon se zotëron kryeministri Rama, nuk duhet të hedhë në erë çdo urë komunikimi mes saj dhe opozitës. Ajo, për më tepër, nuk duhet të projektohet me imazhin e babushkave ruse. Një babushkë e re, e madhe, pret të mbledhë nën vete babushka të vogla si karavidhe për të bindur vetveten dhe shqiptarët për vlerat e saj profesionale dhe ligjore që po rreket të zbatojë këto kohët e fundit.

Ndërkaq, jo krejt vetvetiu, ka dalë në skenë një ide që po spikat pa masë në lidhje me pseudo profesionalizmin që po përdoret nga qeveria për emërimet në administratë. Ka fakte të shumta, të pa lëkundshme se po hiqen njerëz me arsim të lartë, të kualifikuar, me përvojë pune brenda dhe jashtë vendit, dhe po zëvendësohen thjeshtë me militant partiakë, pa arsim përkatës, madje edhe pa të fare, por me të vetmin kriter se ka valvitur flamurin e PS-së gjatë mitingjeve të ndryshme të partisë.

Kjo nuk do të thotë se e gjithë administrata e mëparshme ishte në nivele të tilla profesionale, jo, në shumë sektorë të saj ka qenë mizerabël, dhe vazhdon të jetë e tillë, por problemi qëndron në heqjen e disa specialistëve të mirëorganizuar në sektorët e tyre të punës, të kualifikuar, adekuatë me çdo vlerë profesionale dhe njerëzore.

Humbja e tyre është edhe humbje e shoqërisë. Andaj, Edi Rama në vrapimin e tij të vrullshëm në tokën e pakët dhe të lëvizshme të Shqipërisë, duhet të marrë me mend çdo hap që hedh, çdo herë që kthen shikimin nga kundërshtari: krijimin e një kontradikte të re që sapo ka lindur. Rruga që Rama ka përzgjedhur të nisë, bashkë me avantazhet e menduara, me kriteret e sinqerta, e tradhton jo se është e pamundur, por nuk e ndjek dot.

Tradhtia e saj është e pashmangshme, fryt i një gabimi të madh në vlerësimin e bazave mes tij dhe Ilir Metës dhe bashkëpunëtorëve të tyre. Ai nuk mund të sillet me votuesit e vet, me idenë e një marrëdhënie që është e bazuar thjeshtë tek preferenca partiake dhe angazhimi vullnetar. Jo! Këtë e dimë mirë të gjithë, pa përjashtim. Ata kanë rrudhur muskujt se tashmë ndjehen të zhgënjyer. Të Ilirit po presin të gjejnë çastin e volitshëm për të rrjepur çdo gjë që ju del përpara. Ndërsa të ndershmit, ata që e kanë shumë të vështirë të trokasin në derë dhe të kërkojnë diçka për kontributin e tyre, kanë mbetur duke u ngrohur në diellë. Por me shpresë ama.

Gjithsesi, Edi Rama duhet të ndërtojë një urë komunikimi me Lulzim Bashën dhe jo ta injorojë atë. Ai nuk duhet ta paraqesë këtë marrëdhënie të ngrirë, e mbi të gjitha jo reale, me kinse idenë se kryetari i të djathtës nuk është Lulzim Basha, por Berisha. Kjo nuk çon ujë në mullirin e tij, përveçse sa bën akoma edhe më qesharake çdo levizje të tillë.

Duke shkëmbyer ide dhe pikëpamje me kundërshtarin z.Rama na tregon që nuk ka rënë në kurthin e një politike të vjetër e veshur me rroba të reja. Ai dëshmon, më në fund, se ka gjetur mënyrën për të zvogëluar rrëziqet e një autoriteti të çuditshëm në parti që dikton me dorë të hekurt. Ai dëshmon, se shqiptarët nuk duhet të trajtohen me ngjyrat e partive përkatëse, por sipas meritokracisë dhe vlerave profesionale të gjithsecilit.

Kjo është një rrugë e re që nuk e hedh në mjedise të vjetra, por nuk e çon as në destinacione të reja, e qarkullon sa në vendet e vjetra sa në destinacionet e reja, duke mos e ndalur kurrë as tek njëra dhe as tek tjetra. Me qëllimin për t’i kujtuar atij se rruga që po përshkron është thjeshtë diçka që duhet bërë. Asgjë më shumë se kaq.