Sipas burimeve jo zyrtare, Muho informonte strukturat në Tiranë në lidhje me parcelat, pasi nuk gjente më mbështetjen e policisë lokale të Tepelenës.
Burime pranë grupit hetimor thanë për Ora News se disa kohë më parë, ai ka informuar SHÇKB-në e Tiranës lidhur me disa parcela me hashash. Pas kësaj, SHÇKB e Tiranës, më 4 shtator, ka informuar policinë lokale për të ndërhyrë në vendin e sinjalizuar.
Këta të fundit kanë ndërhyrë dhe kanë asgjësuar 8 parcela me lëndë narkotike, me rreth 4.800 bimë. Aksioni u ndërmor në fshatin Gllave, shumë pranë fshatit Rabije ku u gjet i vrarë 43 vjeçari.
Ai u gjet mëngjesin e sotëm në mes të pyllit nga një bari i zonës, i cili ka lajmëruar policinë.
Trupi i pajetë i 43 vjeçarit është gjetur rreth orës 5 e 30 minuta të mëngjesit të sotëm në fshatin Rabie të Memaliajt.
Viktima jetonte në fshatin Rabie bashkë me gruan dhe me dy fëmijët, ndërsa prindërit e tij jetonin në Patos të Fierit .Trupi i tij është çuar në spitalin e Fierit, ku edhe do të bëhet ekspertiza.
Njoftimi i Policisë
Në afërsi të fshatit Rabie, Memaliaj në rrethana ende të paqarta është vrarë me armë zjarri shtetasi A.M, 43 vjeç, banues në Rabie, Memaliaj.
Menjëhere pas marjes së njoftimit në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e policisë dhe grupi hetimor të cilët po punojnë për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit/ve.