Policia kërkon të paguhet në stadium, klubet kundër

50

Police officers react as chaos erupts at a soccer stadium in Port Said cityNuk është ende zyrtare, por një projekt-ide që në një të ardhme të afërt mund të bëhet i detyrueshëm. Bëhet fjalë për një iniciativë që po diskutohet në Policinë e Shtetit në lidhje me sigurinë në stadiume. Drejtoria e Përgjithshme e Policisë ka ngritur shqetësimet se forca të shumta policore angazhohen në aktivitetet sportive, duke krijuar vakum në detyrat ligjore që i takojnë kësaj force. Në këtë këndvështrim, duke qenë se siguria në stadiume është thuajse e detyrueshme, atëherë është hedhur ideja që klubet të paguajnë për ta pasur këtë shërbim. Drejtuesit e Policisë së Shtetit u janë referuar homologëve europianë, të cilët në pjesën më të madhe nuk merren me sigurinë në stadiume dhe kjo gjë realizohet nga polici private. Prandaj, Ministria e Brendshme mendon të tërhiqet nga ruajtja e tyre pa pagesë. Duke qenë se një pjesë e madhe e klubeve dhe stadiumeve menaxhohen privatisht, ministria po mendon që të hyjë në bisedime me Federatën Shqiptare të Futbollit, me qëllim që të mund të gjejnë një të mesme të përbashkët, ku nga njëra anë të sigurohet qetësia, por nga ana tjetër edhe policët të shpërblehen për punën, në mjaft raste ekstra, që bëjnë karshi klubeve të futbollit. Mësohet se një shërbim i tillë, sikundër ka vijuar deri tani, nuk do të ekzistojë më (gjithnjë nëse arrihet një akord), teksa pritet që bisedimet polici-federatë të caktojnë edhe tarifat, apo gjetjen e ndonjë mënyre për mosangazhimin e forcave të shumta policore. Sakaq, mësohet se bisedime priten të bëhen gjatë muajit të ardhshëm dhe nëse do ketë një dakordësi, implementimi i kësaj ideje të nisë vitin e ardhshëm. Siç dihet, stadiumet shqiptare në mjaft raste janë kthyer në arena të ashpra mes tifozëve të dhunshëm, ku policisë i është dashur që të ndërhyjë për të vënë qetësinë. Por, ka pasur edhe shumë raste të tjera, kur për shkak të njohjeve, sidomos nga ana e drejtuesve të klubeve (kryesisht në rastet kur kanë qenë edhe kryetarë bashkie) me policët kanë ndodhur edhe gjakosje të zyrtarëve të federatës, teksa Policia e Shtetit ka qenë totalisht e paaftë për të menaxhuar situatën. Së fundi ia vlen të kujtohet dhuna që plasi në fushën e Mamurrasit gjatë ndeshjes Mamurrasi-Albpetrol (1-1), ku gjyqtarët e takimit u dhunuan nga tifozët. Gjatë këtij sulmi u rrah arbitri kryesor Endrit Zhuli, i cili më pas përfundoi në spital. Në vendngjarje ndodheshin shumë pak forca policie dhe është dashur njëfarë kohe për të qetësuar situatën. Sakaq, policët që ishin në stadium në ato momente dhe që kishim si detyrë specifike ruajtjen e rendit dhe mbrojtjen e zyrtarëve të ndeshjes, jo vetëm që nuk ndërhynë në kohë, por nuk pranuan as të shoqëronin makinën e arbitrave përtej Mamurrasit. Për këtë arsye atë u pezulluan menjëherë nga një urdhër i Ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri. Por, duhet thënë se të tilla incidente ka pasur thuajse çdo javë në të gjitha kategoritë e kampionatit shqiptar, ndaj edhe Policia e Shtetit kërkon që të vendosë me këtë iniciativë një lloj rregulli të ri.

Burimi: http://www.panorama-sport.com/kategoria-superiore/police-me-pagese-ne-stadiume-klubet-jane-kunder/#ixzz2lxwo5CoF