Po ti ku ishe kur u shemb Teatri?

154

Dritan Laçi

Jam shume i lodhur dhe i dërrmuar fizikisht por edhe shpirterisht. Me nje kembe të copëtuar që nuk është asgjë para dhimbjes qe kam në zemër.

Sot në mengjes kisha vetëm 30 minuta që isha kthyer në shtëpi pas qendrimit prej disa oresh në Teatrin Kombëtar. Kisha bërë 8 km në këmbë vajtje ardhje për të qenë pranë Teatrit. Do kisha bërë 42 vetëm të kthehesha si maratonamak me lajmin që Teatri nuk u shëmb. Por nuk ishte e thënë të ishte kështu. Ora shenonte 4.00 kur një mesazh ne ëhat’s app ma fshiu gjumin.

Dhe ashtu kam vrapuar si kalë i hazdisur në amok në agun e mengjesit edhe 4 km të tjerë për tu kthyer sërish te Teatri. Por nuk munda ta shoh serish. Hordhitë barbare ishin sulur sapo kishin parë që kishim levizur nga istikami. Madje pa dalë drita e diellit. Në pabesi. Ashtu siç vepronin dikur baballarët e tyre xhelatë. Natën. Në errësirë. Me arrestime. Me zhdukje. Me pushkatime pa nam e pa nishan. Ishte sikur ta parandjeja. Në bisedat e mia gjatë mbrëmjes e kisha theksuar disa herë që kishte ardhur koha të përplaseshim. Por burrërisht ballë për ballë.

Por ata zgjodhën modelin e baballarëve katile. Tinëzisht. Duke u fshehur si skutha. Fillimisht vinin vërdallë duke provokuar me gjoba. Më pas si e panë që njerëzit u shtuan pas thirrjeve për grumbullim u shpërndanë si hiena për tu grumbulluar më pas në një sulm frontal.

Madje që të bënin të besueshëm se lajmi për shëmbje ishte gjetiu dhe jo te Teatri në orën 23.00 stimuluan shëmbje në një zonë vetëm 500 m më tej aty ku dikur ndodhej Kafe Flora pranë 15 Kateshit. Kush tjetër mund ti bëjë këto makinacione përveçse Sigurimit të Shtetit. Po ne jemi me faj.

Dhe kjo është e verteta. Sepse civilizimi yne si qytetar nuk mund të funksionojë si mendje perverse. Ne nuk mundem ta mbanin zgjuar fanarin tonë sepse ne nuk funksionojmë si mendje talebanësh. Na ndjeni. Shumë nga ju madje sot sulmuat edhe opozitën. Ju mendoni se demokraci është të sulmosh opozitën në ditën që kemi autorin e një krimi.

Opozita ka të metat e saj. Jam kujdesur shumë edhe për natyren time kritike që të jem i rezervuar në qëndrimet e mia ndaj opozitës. Por mbreme Luli ju pengoi të vini te Teatri? Luli ishte aty, bashkë me Gaz Bardhin dhe shumë deputetë të tjerë. Por ju qe rrini zgjuar në rrjetet sociale deri në orët e para të mengjesit me kotësira e keni marrë lajmin për sulmin ndaj Teatrit që në orën 22.00. E pra une nuk ju pashë gjëkundi.

Une mund të kem kritika ndaj Bashës përse ishte ai dhe nuk ishin kryetarët e degët e PD-së në Tiranë. Por juve nuk ju pengoi Luli të vini. Jo, ju nuk donit të vinit. Luli ishte aty deri ne 2.30. Ju nuk ishit. Ndaj turpin mbajeni për vete. Nëse mendoni që historia do ju falë sepse u fshehet poshtë Lulit e keni kot. Ju nuk keni lidhje në historinë.

Historia ju thirri dhe ju u rreshtuat ca me gjumin dhe ca me llumin. Kjo është e verteta e kesaj dite. Dhe pyetja që do ju vrasë gjithmone sa herë t’ju shoh në sy do të jetë;

Po ti ku ishe kur u shemb Teatri?