Me kokën ulur dhe me maskë kundër Covid-19, 65-vjeçari Abaz Doku, i akuzuar për përdhunimin dhe shtantazhimin e 15-vjeçares, u paraqit sot në gjykatën penale të Tiranës.
Përkrah tij ishte i ulur i akuzuari tjetër, K. Poçi 20 vjeç.
Ndërkohë dy të akuzuarit e tjerë, R.O dhe F.B, të dy 15 vjeçarë nuk u nxorën fare para trupës gjykuese për shkak të moshës së tyre minorene.
Gjykata e Tiranës pranoi masën e sigurisë së kërkuar nga Prokuroria, duke i lënë të katërt në “arrest me burg” edhe pse mbrojtja kishte kërkuar masë më të lehtë për të miturit.
Skandali i përdhunimit të 15-vjeçares në zonën e Babrrusë në Tiranë nga 65-vjeçari dhe 3 adoleshentët merr përmasa më të mëdha, pasi e mitura dyshohet se është dhunuar për 4 vite me radhë, që në klasën e 5-të.
Babai i vajzës E.Thanasi, shprehet se abuzimin prej 4 vitesh e ka mësuar rreth 6 muaj më parë nga të njohurit e lagjes.
Babai shprehet se ka kërkuar ndihmën e drejtorit të shkollës, dhe të institucioneve, deri sa është detyruar të kryejë denoncimin në polici.
Ngjarja bëhet akoma më e rëndë ku 3 adoleshentët ishin shokë të vëllait të vajzës.
I ati i vajzës kërkoi që shteti të japë vendim të drejtë ndaj 4 të arrestuarve, pasi në rast të kundërt do të bëjë vetëgjyqësi.