PD: Tahiri të mos dalë në TV, pasi figura e tij përkeqëson rendin dhe sigurinë publike

57

ARben RistaniPartia Demokratike ka denoncuar sot rritjen e kriminalitetit në vend. Deputeti demokrat, Arben Ristani, ndërsa analizoi situatën e sigurisë publike, denoncoi aktet kriminale dhe pasigurinë me të cilën ka nisur java.

“Sot në orët e para të mëngjesit, siguria publike në Shqipëri është tronditur nga shfaqja e maskave në afërsi të Tepelenës, kur një autobus me udhëtarë që shkonin në Greqi, është sulmuar me armë dhe për pasojë dy vetë kanë mbetur të plagosur, njëri prej të cilëve në gjendje të rëndë shëndetësore.

Sot në mëngjes në Tiranë, në shkollën e mesme “Partizani”, brenda në klasë, një gjimnazist i vitit të parë është goditur me thikë, dhe sipas burimeve tona dhe medias, fatmirësisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Kështu nis java në Shqipëri dhe kjo është situata e kriminalitetit në vend.

Kështu nis java me rendin dhe sigurinë “normale” të Edi Ramës dhe Saimir Tahirit. Partia Demokratike është e shqetësuar për pasigurinë e madhe publike. Ne i kërkojmë Policisë së Shtetit që të distancohet nga Ministri i Brendshëm dhe kryeministri dhe lojërat e tyre politike, dhe të kthehet në detyrë e të ushtrojë përgjegjësitë, pasi maskat, eksplozivi dhe armët  po plagosin e po vrasin çdo ditë. Ne i kërkojmë Ministrit të Brendshëm të ndalë shfaqjet  televizive dhe të respektojë pavarësinë e Policisë së Shtetit, sepse rezulton se ai me arrogancën dhe paaftësinë e tij, dukshëm i shërben vetëm përkeqësimit të rendit dhe sigurisë publike”.