Ish-presidenti i Pakistanit, Musharraf akuzohet për vrasjen e ish- kryeministres Benazir Bhutto në vitin 2007. Sipas prokurorëve, mbi të janë hedhur tre akuza: vrasje, konspiracion për vrasje dhe lehtësim në organizimin e vrasjes. Gjatë seancës së mbyllur gjyqësore, Musharraf i ka mohuar akuzat, megjithatë seanca tjetër është shtyrë më 27 gusht.
Ndërkohë, avokatët e Musharafit i hodhën poshtë akuzat duke u shprehur se janë të pabaza. Gjithashtu ata thanë se nuk i frikësohen aspak procedurave të mëtejshme ligjore. Analistët thonë se vendimi i gjykatës në Ravalpindi shënon herën e parë që Musharraf, apo ndonjë tjetër ish-shef i ushtrisë në Pakistan, është akuzuar për krime.
Ish-presidenti i Pakistanit është shprehur vazhdimisht se akuzat kundër tij janë të motivuara politikisht. Ai erdhi fillimisht në pushtet në vitin 1999 dhe e ka udhëhequr vendin për nëntë vite radhazi.