Nishani takon Milanoviç: Kroacia do mbështesë Shqipërinë në procesin e integrimit

48

nishani-kroatiPresidenti i Republikës, Bujar Nishani priti sot në një takim Kryeministrin e Republikës së Kroacisë, Zoran Milanoviç, i cili po zhvillon një vizitë zyrtare në Shqipëri. Presidenti Nishani tha se kjo vizitë ka një rëndësi shumëdimensionale, sepse Kroacia është një vend mik, bashkudhёtare nё procesin e anёtarёsimit nё NATO dhe një bashkёpunёtore e afërt nё procesin e integrimit evropian dhe shtoi se, Kroacia ёshtё një aleate e rёndёsishme pёr Shqipёrinё nё rajon, dhe, për kёtё arsye, ne i kushtojmë njё vëmendje tё veçantë marrёdhёnieve tona me këtë vend.

Presidenti u shpreh se Shqipëria e konsideron anëtarësimin e Kroacisë në Bashkimin Evropian, si një portë më afër Evropës për vendin tonë, ndërsa shprehu bindjen se Kroacia do të vazhdojë ta mbështesë më fort Shqipërinë në procesin e integrimit evropian.  Kreu i Shtetit më tej, vlerësoi lart edhe mbështetjen kroate ndaj gjithë rajonit, duke theksuar se Procesi i Brdos, ku Kroaci ka rol drejtues, po i shërben rritjes së frymës së dialogut, mirëbesimit dhe bashkëpunimit mes vendeve të rajonit, shkëmbimit të eksperiencave dhe kontakteve me vendet partnere të BE-së.

Si fusha të rëndësishme, ku mund të thellohet bashkëpunimi dypalësh, Presidenti veçoi, energjetikën, turizmin dhe bujqësinë, ndërsa nënvizoi se zbatimi i projekteve të rëndësishme si ai Adriatiko-Jonian duhet të jenë prioritet i këtij bashkëpunimi dhe bashkëpunimit me vendet e interesuara dhe Bashkimin Evropian. Kryeministri Milanović, e siguroi Presidentin se Kroacia do të vazhdojë ta mbështesë fort Shqipërinë në integrimin evropian dhe vuri në dukje se, sipas vlerësimit të tij, Shqipëria i ka plotësuar kushtet për të fituar statusin e vendit kandidat për në BE. Kryeministri tha gjithashtu se bashkëpunimi dy dhe shumëpalësh mes vendeve tona mbetet në vëmendjen e qeverisë kroate dhe e konsideroi realizimin e Projektit Adriatiko-Jonian si me shumë interes për daljen e vendeve të rajonit në tregun evropian.