Nis heshtja zgjedhore në Maqedoni

58

maqedoniaMbyllet fushata elektorale në Maqedoni dhe ka nisur heshtja zgjedhore deri të dielën në orën 07.00 kur do të mbahen votimet për të zgjedhur Presidentin dhe Parlamentin e ri të vendit.

Zgjedhësit e Maqedonisë do të votojnë në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale ku përballë kandidojnë Presidenti aktual, Gjorgje Ivanov, i cili përkrahet nga partia në pushtet VRMO-DPMNE dhe kandidati i të grupimit të majtë Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë, Stevo Pendarovski.

Janë gjithsej 1.780.128 qytetarë me të drejtë vote që do të kenë mundësi për të shfrytëzuar të drejtën e votës në 3480 vendvotime, ku ata do të marrin dy fletë votimi, njërën për president dhe tjetrën për listën për deputetë. Zgjedhjet do të zhvillohen edhe në diasporë ku mbi 23 mijë votues të regjistruar do të zgjedhin tre deputetë të diasporës në Evropë, SHBA – Kanada dhe Australi.

Dy partitë kryesore shqiptare në Maqedoni, Bashkimi Demokratik për Integrim e Ali Ahmetit dhe Partia Demokratike Shqiptare e Menduh Thaçit kanë mbyllur fushatën duke përdorur një fjalor të polarizuar politik çka ka thelluar hendekun ndërmjet këtyre dy forcave politike.

BDI ka bërë thirrje për të bojkotuar zgjedhjet e Presidentit të Maqedonisë ndërsa PDSH në raundin e parë garoi me kandidatin e saj, Iljaz Halimi, i cili mori 38.966 vota apo 2,19%.

Ndërkaq, SHBA dhe BE përmes një deklarate të përbashkët kanë bërë thirrje për zgjedhje të lira dhe demokratike. /