Nënshkruhet memorandumi Shqipëri-Kosovë për një treg të përbashkët energjitik

84

shqiperia_kosovaMemorandumi i bashkëpunimit Shqipëri -Kosovë synon ndërtimin e një tregu të përbashkët energjitik dhe ky është vetëm hapi i parë në drejtim të realizimit të një tregu të përbashkët dhe heqjes së barrierave mes dy vendeve për çdo produkt tjetër, veç energjisë elektrike..
Memorandumi, i nënshkruar paraditen e sotme në Tiranë nga ministri shqiptar i Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri dhe ministri kosovar për Zhvillimin Ekonomik, Fadil Ismajli, pritet të kurorëzohet me ndërtimin e linjës së interkonjeksionit 400 kW, një projekt i mbështetur nga banka gjermane kWf,
Në një deklaratë për mediat, ministri Gjiknuri tha se linja do të përbëjë shtyllën kurrizore energjitike mes Shqipërisë dhe Kosovës, duke sjellë qëndrueshmëri në furnizimin me energji, e pasuar kjo dhe me qëndrueshmëri në çmim.
“Jam i sigurt se integrimi i të dyja vendeve në një treg të përbashkët krijon më shumë qëndrueshmëri në furnizim, më shumë qëndrueshmëri në çmime, si dhe në krijimin e mundësive më të mira për investime private në të dyja krahët e kufirit”, tha ministri shqiptar.
Ndërsa për ministrin kosovar, Fadil Ismajli, ndërtimi i një tregu të përbashkët energjitik nuk mund të realizohet pa u vënë në funksionim linja 400 kw. ”Me përfundimin e linjës 400 kW do të përfundojë dhe puna për ndërtimin e këtij tregu të përbashkët. Kjo shënon dhe hapat e parë në drejtim të realizimit të një tregu të përbashkët dhe heqjes së barrierave mes dy vendeve për çdo produkt tjetër, veç energjisë elektrike”, tha ai.
Sipas Ismajlit, tregu i përbashkët energjitik Shqipëri-Kosovë do të pasohet me tregun e përbashkët të telekomunikimit.