Nën akuzë 15 veta të “Grupit të Drenicës”, Lushtaku e Geci akuzohen për vrasje

59

foto15 persona janë përfshirë në aktakuzën e EULEX-it në Grupin e Drenicës, nën dyshimin se kanë kryer krime lufte në rajonin e Drenicës. Misioni evropian për sundim të ligjit ka njoftuar se është ngritur aktakuzë për krime lufte ndaj 15 personave, përfshirë tortura, keqtrajtim të të burgosurve dhe vrasje.
KTV-ja ka mësuar emrat e të akuzuarve dhe disa pika të aktakuzës. Aty përfshihen ambasadori i Kosovës në Tiranë, Sylejman Selimi, kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku, ai i Drenasit, Nexhat Demaku, deputeti i PDK-së, Fadil Demaku, Jahir e Zeqir Demaku, Sabit Geci, Avni Zabeli, Isni Thaçi, Ismet Haxha, Sahit Jashari, Agim, Bashkim, Driton dhe Selman Demaj.
Me pikat më të rënda të aktakuzës ballafaqohen Sami Lushtaku e Sabit Geci, që të dy akuzohen për vrasje. Ish-komandanti i Zonës Operative të Drenicës, Sami Lushtaku, akuzohet ‘për vrasjen e një civili shqiptar, i burgosur, duke e qëlluar atë me pistoletë TT në kokë’. Në aktakuzë thuhet se vrasja ka ndodhur në një vend të panjohur, ndërmjet fshatrave Galicë dhe Dubovc, në shtator të vitit 1998.
“Të gjitha pretendimet e Prokurorisë janë të pabazuara, z. Lushtaku po pret me padurim tash e 6 muaj që të rrëzojë pretendimet e Prokurorisë dhe ta dëshmojë pafajësinë e vet. Me argumentet tona do ta bindim Gjykatën për pafajësinë e klientit tim”, ka thënë Arianit Koci, avokati i Sami Lushtakut.
Ish-komandanti i UÇK-së, Sabit Geci, akuzohet se ka vrarë të burgosurin serb, Ivan Bulatoviq, kurse ish-komandanti i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Sylejman Selimi ballafaqohet me 7 pika të aktakuzës, kryesisht për cenim të integritetit trupor. Avokati i tij mbrojtës e ka quajtur të pabazë aktakuzën.
Në bazë të Kodit Penal të Procedurës Paraprake, shqyrtimi fillestar për rastet në të cilat të akuzuarit janë në paraburgim, nis më së largu 15 ditë që nga marrja e aktakuzës. KTV-ja ka kontaktuar me deputetin Fadil Demaku, por ai ka thënë se nuk di asgjë për këtë. Kurse, me kryetarin e sapozgjedhur të Drenasit, Nexhat Demaku, ka qenë i pamundur kontakti.
Shtatë nga 15 të akuzuarit janë në paraburgim që nga muaji maj i këtij viti, kur u arrestuan nga EULEX-i, me kërkesë të prokurorit të rastit, Maurizio Salustro. /kohanet/