Deputetët e shumicës rrëzuan paketën me 12 amendamente të propozuar nga opozita, që kërkonte përfshirjen e tyre në draftkalendarin e paraqitur seancës plenare.
Pas prezantimit një pas një të amendamenteve të inicuara nga deputetët e djathtë, kryetari i Kuvendit, Ilir Meta tha se nga 12 propozimet vetëm një është në përputhje me rregulloren, ai për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin “Për nëpunësin civil”, ndërsa të tjerat janë në shkelje të saj.
“Amendamentet në kalendar nuk i referohen programit të punës dhe pjesa më e madhe e tyre janë kompetencë e komisioneve dhe jo e seancës plenare”, sqaroi Meta.
Propozimet në draftkalendar të paraqitura nga opozita, lidheshin me problematika të kohëve të fundit, si vendet vakante në AMA, rregullorja e Kuvendit, ligji “Për dhënie amnistie”, moratoriumi i skafeve, dëmshpërblimi i të ish-të përndjekurve etj.