Meta-Staffansson: Gjithëpërfshirja e transparenca bazë për realizimin e reformave

57

Meta-suedezi1-280x200Kryetari i Kuvendit Ilir Meta priti sot Ambasadorin e Suedisë në Shqipëri (Rezident në Shkup) Mats Staffansson, shoqëruar nga i Ngarkuari me Punë i Suedisë në Tiranë Patrik Svensson.

Duke biseduar mbi zhvillimet e fundit politike në Shqipëri, Kryetari i Kuvendit Meta dhe Ambasadori Staffansson ndanë bindjen e përbashkët se gjithëpërfshirja, transparenca dhe konsultimi i vazhdueshëm me shoqërinë civile dhe grupet e ndryshme të interesit, janë baza më e mirë e angazhimit për ndërmarrjen e reformave të mëdha që ka nevojë vendi.

Në këtë kontekst, Meta e falenderoi  Ambasadorin Staffansson për mbështetjen e veçantë që Suedia jep në kuadër të reformës administrative dhe territoriale si domosdoshmëri për një pushtet vendor real, efikas dhe të aftë për të ofruar shërbime cilësore për qytetarët.

Gjithashtu Kryetari i Kuvendit Meta shprehu mirënjohjen për mbështetjen e pakursyer të Suedisë në procesin e integrimit të Shqipërisë dhe shprehu vullnetin për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe, si në planin ndër-parlamentar, ashtu edhe në drejtim të bashkëpunimit ekonomik.

Ambasadori Staffansson theksoi se Suedia është një prej miqve më të afërt të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, duke vënë në dukje se Shqipëria ka reflektuar zhvillime pozitive gjatë viteve dhe muajve të fundit. Në këtë kuadër, Ambasadori shprehu dëshirën për intensifikimin e bashkëpunimit dypalësh duke nënvizuar se Suedia është e gatshme t’a rrisë mbështetjen e saj ndaj Shqipërisë dhe rajonit.