Burimet zyrtare të Policisë së Vlorës bënë të ditur se rreth orës 22:15 të së martës, në sallën operative është marrë njoftim për një grabitje me armë. Policia është njoftuar se ngjarja i ka ndodhur 50-vjeçarit Halim Sinaj. Menjëherë, në vendin e ngjarjes kanë shkuar shërbime të shumta policie, të cilat kanë rrethuar zonën dhe kanë kontaktuar me familjen e dhunuar dhe të grabitur. Tregtari i karburanteve ka treguar për uniformat blu se tre persona me maska dhe armë i kanë hyrë në shtëpi, duke neutralizuar dy bashkëshortët që ndodheshin brenda. Sipas të dëmtuarve, me armën në kokë, ata i kanë lidhur dhe kanë nisur të kontrollojnë në gjithë banesën për të grabitur, duke marrë një sasi të madhe parash.
Grabitësit e maskuar, të cilët u drejtoheshin shokëve me pseudonime dhe që në asnjë moment nuk kanë hequr dorezat dhe kapuçët, mësohet se kanë bastisur shtëpinë e tregtarit për rreth 20 minuta. Pas grabitjes, ata janë larguar me një makinë, ndërkohë që kanë qëlluar me armë automatike në ajër. Policia e Vlorës ka bërë rrethimin e zonës për gjetjen e autorëve. 50-vjeçari Sinaj merrej me tregti karburantesh prej disa vitesh dhe pikërisht për këtë arsye mendohet se është bërë objekt i grabitësve. Policia ka dyshime se autorët kanë njohje me tregtarin e grabitur, kështu që hetimet kanë nisur që nga rrethi i tij shoqëror.
Policia tha se për këtë ngjarje ka shoqëruar disa të dyshuar, të cilët janë marrë në pyetje si persona që mund të ndihmojnë për rrethanat e ngjarjes, por edhe si të dyshuar për krimin e rëndë. Megjithatë, deri në orët e vona të ditës së djeshme nuk ka pasur ndonjë njoftim zyrtar nga policia e qytetit bregdetar për ndalimin e ndonjë të dyshuari për grabitje me armë dhe dhunë. Grupi hetimor tha se ka sekuestruar edhe disa gëzhoja, të cilat i ka gjetur pranë vendit të ngjarjes dhe dyshohet se janë qëlluar nga autorët e grabitjes. Gëzhojat janë dërguar në laboratorin e kriminalistikës për të gjetur ndonjë gjurmë të mundshme dhe për të verifikuar nëse armët e përdorura nga grabitësit janë përdorur në ndonjë krim tjetër.