Mali i Zi përparon drejt BE-së

77
Duško Marković dhe Štefan Füle
Duško Marković dhe Štefan Füle

Komisioneri për Zgjerimin dhe Politikat e Fqinjësisë, Stefan Fule  është takuar dje me Zv. Kryeministrin dhe Ministrin e Drejtësisë të Malit të Zi, Duško Marković. Synimi i takimit, ka qenë diskutimi mbi sfidat e mëdha në skenën e brendshme politike dhe mënyrat për tu përballuar me to. Mali i Zi vlerësohet, se po përparon mirë në negociatat e pranimit drejt BE-së.

Fokusi i diskutimeve midis Fule dhe Markovic, sipas Komisionit Europian, është përqendruar rreth progresit në negociatat e pranimit, veçanërisht në fushën e sundimit të ligjit. Komisioneri Fule, ka theksuar, se negociatat e pranimit, po përparojnë mirë, por theksoi rëndësinë e mbajtjes së këtij vrulli, në zbatimin e reformave të nevojshme.

Komisioneri Fule vlerësoi, se është koha për një adoptim të shpejtë të amendamenteve kushtetuese, që fuqizojnë pavarësinë dhe transparencën e sistemit gjyqësor, në të njëjtën linjë me rekomandimet e Komisionit të Venecias. Komisioneri për Zgjerimin e vuri theksin edhe mbi domosdoshmërinë e Planeve të Veprimit, të mirë përgatitura për kapitujt 23 (Gjyqësori dhe te Drejtat Fondamentale) dhe 24 (Drejtësia, Liria dhe Siguria), duke marrë parasysh komentet e të gjithë palëve pjesëmarrëse. Ai theksoi gjithashtu edhe rolin kyç të Ministrit të Drejtësisë, Markovic duke konfirmuar edhe rëndësinë e intensifikimit të kontakteve midis tyre. Fule, ripërsëriti gjithashtu edhe domosdoshmërinë për adresimin e reformave të prapambetura, si në fushën e sundimit të ligjit dhe të gjyqësorit.

Mali i Zi ka dorëzuar aplikimin për anëtarësim në BE, më 15 dhjetor 2008. Më 17 dhjetor 2010, Bashkimi Europian i akordon Malit të Zi, statusin zyrtar të vendit kandidat. Më dhjetor 2011 Këshilli lançoi procesin e pranimit, me synim hapjen e negociatave në qershor 2012, të cilat u aktualizuan, më 29 qershor 2012. Më 18 dhjetor 2012, Mali i Zi hapi dhe mbylli përkohësisht Kapitullin 25, që ka të bëjë me Shkencën dhe Kërkimin. Një hap tjetër drejt familjes evropiane u shënua edhe me hapjen e Kapitullit 26, më 15 prill 2013.

Marrëdhëniet diplomatike, ndërmjet Malit të Zi dhe Komunitetit Europian funksionojnë nëpërmjet dy kanaleve të rëndësishme, Misionit të Malit të Zi në BE, Bruksel, i cili ka qenë plotësisht funksional, që prej vitit 2006 dhe nëpërmjet Delegacionit të BE-së në Podgoricë të Malit të Zi, i cili funksion që prej nëntorit 2007.