Lazarat, minohet fshati për të mos hyrë policia

77

lazarat-albania-cannabis“Kryengritja” e banorëve të Lazaratit ka arritur kulmin këtë verë, ku veç kundërshtimeve të policisë me armë që kanë ndodhur çdo vit, duke i kthyer mbrapsht forcat e rendit, sivjet ata kanë minuar çdo shteg që të çon në fshat, me qëllim që bimët narkotike të mos cenohen.

Informacioni konfidencial vjen nga brenda fshatit, nga i cili mësohet se janë grosistët e trafikut të drogës, ata që kanë vendosur minat.

Kjo veprimtari nuk është konfirmuar nga policia, por mësohet se çdo natë, qielli mbi Lazarat skuqet nga gjurmëlënës dhe predha mitralozi, që dëgjohen në të gjithë Gjirokastrën. Nga ana tjetër, pavarësisht përpjekjeve të policisë me postblloqe të ndryshme, Lazarati vazhdon të furnizohet me punëtorë, pleh dhe ujë për kultivimin e bimëve narkotike.

Sipas informacioneve të besueshme, vendosja e minave në shtigje që të çojnë drejt zonave, ku kultivohet masivisht kjo bimë e ndaluar narkotike, është realizuar pas operacionit të ndërmarrë nga policia lokale dhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë për të bllokuar çdo rrugëdalje të Lazaratit, me qëllim minimizimin e trafikut të drogës. Ky operacion, si çdo vit është kryer në largësi të fshatit, duke shoqëruar në polici persona që punësohen për korrjen e bimës narkotike, por edhe duke bllokuar autobotet me ujë dhe kamionët me pleh që përdoren për kultivimin e kësaj droge në fshatin e njohur në gjithë Europën për prodhimin e tij.

Njëkohësisht, banorë të fshatit shprehen se minat janë vendosur edhe nga frika e vjedhjes së bimës së korrur në disa parcela, pasi kohët e fundit janë shtuar konkurrentët, të cilët përfitojnë nga sezoni, duke e trafikuar vetë nëpërmjet rrugëve malore.

Megjithatë, pavarësisht mënyrave të përdorura nga banorët për mbrojtjen e lëndës narkotike, i patjetërsueshëm mbetet fakti se Lazarati nuk ndalet në kultivimin e parcelave me kanabis. Në fshat mbizotëron gjelbërimi nga plantacionet e mbjella me kanabis, ndërsa punëtorët vazhdojnë të shkojnë me furgonë dhe kamionët dhe botet me ujë hyjnë lirshëm në Lazarat. Policia duket e paaftë për të mbajtur nën kontroll lëvizjet në fshatin e konsideruar si vatra kryesore e kultivimit të bimës narkotike. Furgonët për në Lazarat nuk qëndrojnë më në qytetin e Gjirokastrës, por kanë ndërruar stacione duke ndaluar në zona të ndryshme. Shoferët zgjedhin kohën kur postblloku i policisë lëviz nga një pikë në tjetrën për të futur në fshat punëtorët, ndërkohë që e njëjta praktikë ndiqet edhe për mjetet ndihmëse.

Nga ana tjetër, ndërsa policia ka bllokuar rrugët tradicionale të furnizimit me ujë, vetëm 1 km më larg janë hapur shtigje të tjera dhe botet hyjnë lirisht për në fshat. Policia e Gjirokastrës, e mbështetur edhe nga forcat speciale, ka deklaruar se do të ndërhyjë në terren brenda pak ditëve, por planit operacional duhet t’i jepet OK nga krerët më të lartë të Policisë së Shtetit.

Kjo nuk është hera e parë që policia ndërmerr aksione të tilla, por prej vitesh, fshati i kanabisit ka dalë jashtë kontrollit.

Fshati që ka dëshmuar për më se një dekadë se është një territor i pakontrolluar dhe i padepërtueshëm nga policia dhe shteti, pasi mendohet se banorët e tij janë të armatosur, vazhdon procesin e kultivimit të kanabisit i pashqetësuar. Grupe personash të armatosur vendosen në pozicione strategjike nëpër kodrat periferike dhe jo vetëm që vëzhgojnë çdo lëvizje në hyrjet dhe daljet e fshatit, por herë-herë realizojnë qitje në ajër me lloj-lloj armësh. Kjo përbën rrezik për jetën e udhëtarëve në rrugën nacionale Kakavijë-Gjirokastër, për banorët e lagjeve periferike të Gjirokastrës; Zinxhira, Manalat dhe Cfakë, si dhe për banorët e fshati Dervician në anën tjetër të Lazaratit. Edhe forcat speciale që kanë tentuar të hyjnë brenda plantacioneve me kanabis, kanë hasur në kundërshtime të ashpra me armë, falë edhe terrenit, që u jep përparësi trafikantëve të drogës.

*T.CH