Kroacia referendum për martesat gay

45

croaziaDuke nisur prej mëngjesit të së dielës, kroatët i drejtohen kutive të votimit në një referendum që do të përcaktojë statusin juridik të martesave homoseksuale në vend.

Votuesit duhet të përcaktojnë nëse të aprovojnë ose jo ndryshime në kushtetutën Kroate, për të përcaktuar martesën si një bashkim ekskluziv midis burrit dhe gruas.

Të shtunën, mbështetësit e të drejtave të komunitetit LBGT marshuan në kryeqytetin Zagreb, për të protestuar kundër kësaj vote.

Referendumi u bë i mundur, pasi një peticion i hartuar nga disa shoqata katolike mori më shumë se 700 mijë firma, në një popullsi prej 4,2 milionë banorësh, raporton BBC.

Referendumi do të shtojë pyetjen: “A jeni dakord që martesa është një bashkim midis një burri dhe një gruaje”?

Nëse në shumicë referendumi do të marrë përgjigjen “po”, atëherë Kroacia do të ndryshojë kushtetutën, duke nxjerrë jashtë ligjit martesat homoseksuale.

Krocia është një shtet ku 90% e popullsisë e deklarojnë veten katolikë, ndërsa sondazhet thonë se referendumit pritet t’i përgjigjen me po 59% e pjesëmarrësve.

Shoqatat “LBGT” përsëritën të shtunën apelin e tyre ndaj bashkëqytetarëve për të votuar kundër, në mënyrë që “minoritetet të mos trajtohen si qytetarë të klasit të dytë në Kroaci”.

Nga ana e tij, kardinali Josip Bozaniç mbështeti ndalimin e këtyre martesave, duke thënë: “Martesa është i vetmi bashkim që mundëson riprodhimin. Ky është ndryshimi thelbësor midis martesave dhe mënyrave të tjera se si dy njerëz mund të qëndrojnë bashkë”.

 Kroacia u anëtarësua në Bashkimin Evropian në muajin korrik, duke u bërë kështu anëtarja e 28-të.