Koka vendorëve: Merrni masa për mbetjet, ndryshe gjoba

55

lefter kokaMinistri i Mjedisit, Lefter Koka urdhëron drejtuesit vendorë që të marrin masa të menjëhershme për menaxhimin e mbetjeve të cilat janë përgjegjësi e drejtpërdrejtë e pushtetit vendor.

Në një letër dërguar 390 kryetarëve të komunave dhe bashkive në të gjithë vendin, Koka thekson se nëse nuk do të merren masa më lëtë drejtim Ministria e Mjedisit, në përputhje me ligjin do të penalizojë drejtuesit e njësive vendore me gjobë nga 500.000 lekë deri në 1.000.000 lekë.

Gjithashtu në letër theksohet se nëse do të konstatohet përsëritje e kundravajtjes Ministria e Mjedisit do të marrë masa më të rënda ligjore duke i propozuar Këshillit të Ministrave që t’i kërkojë Këshillit të Komunës/Bashkisë shkarkimin e Kryetarit për shkelje të rënda të Kushtetutës dhe të ligjeve në fuqi.

Në fund të letrës së tij, Ministri i Mjedisit, Lefter Koka u kujton drejtuesve vendorë se ata janë të zgjedhur nga qytetarët për tu shërbyer atyre sa më mirë.

“Gjendja e rëndë e mbeturinave në territorin që ju administroni dëshmon për një neglizhencë dhe papërgjegjshmëri në të shkuarën, ndaj detyron Ministrinë e Mjedisit, që në mbrojtje të standardit të jetës së qytetarit, të marrë masa ligjore ndaj çdo drejtuesi të pushtetit vendor, pa asnjë dallim partiak” shkruhet në letrën që Ministri i Mjedisit u ka drejtuar të gjithë drejtuesve të qeverisjes vendore në Shqipëri.