Jep dorëheqjen Shefi i Shtabit të FA-së

77

XHEMAL GJUNKSHIShefi i Shtabit të Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, Xhemal Gjunkshi, ka dhënë dorëheqjen ditën e sotme.

Në kërkesën drejtuar presidentit Nishani, si Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, Gjunkshi nuk paraqet arsyet e dorëheqjes së tij nga detyra. Ai ka vlerësuar arritjet e FA-së në misionet paqeruajtëse në kuadër të NATO-s në Irak, Afganistan, Kosovë etj.

Gjithashtu, Gjunkshi ka shprehur mirënjohjen për të gjithë bashkëpunëtorët e tij për profesionalizmin dhe gatishmërinë e treguar gjatë ushtrimit të detyrës.

Gjeneral Brigade Xhemal Gjunkshi ka marrë zyrtarisht detyrën e shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë në 8 gusht të vitit 2011. Ai zëvendësoi Gjeneral Brigade Maksim Malaj, të cilit i kishte mbaruar mandati.

Ja kërkesa e dorëheqjes

Lënda :   Kërkesë për dorëheqje nga detyra

 Drejtuar :  Shkëlqesisë së Tij  Zotit Bujar Nishani

 President i Republikës së Shqipërisë

Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Republikës së   Shqipërisë.

I nderuar Zoti President i Republikës dhe Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura,

Duke shprehur konsideratën më të lartë për Ju, më lejoni që mbështetur në nenin 7, pika 5 dhe  nenin 30, pika 3, shkronja “b” të ligjit Nr. 8671, datë 26.10.2000 “Për pushtetet dhe autoritetet e komandimit e të drejtimit strategjik të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar, të paraqes para Jush dorëheqjen nga detyra e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë.

Kam patur nderin dhe privilegjin të kryej këtë detyrë të rëndësishme që nga data 8 gusht 2011. Ka qenë një nga periudhat më aktive të shërbimit tim në krye të burrave dhe grave nën uniformë si dhe punonjësve civilë në Forcat e Armatosura, periudhë për të cilën ndjehem krenarë për arritjet e Forcave tona të Armatosura, të cilat kanë konsoliduar edhe më tej opinionin pozitiv për dinjitetin, profesionalizmin dhe angazhimin e FA-së në shërbim të mbrojtjes së vendit dhe të Aleancës së Atlantikut të Veriut.

Në tërësinë e zhvillimeve të mëdha dhe të arritjeve gjatë kësaj periudhe do të dëshiroj të theksoj kryerjen me sukses, profesionalizëm dhe dinjitet të misioneve të paqes në kuadër të NATO-s në Irak, Afganistan, Kosovë dhe në shtabet ndërkombëtare, asgjësimin e plotë dhe pa ngjarje të jashtëzakonshme të mijëra ton municionesh të cilat përbënin një rrezik serioz për popullsinë civile, ndihmën e pakursyer duke bërë të pamundurën të mundur në ndihmë të popullsisë civile të prekur nga fatkeqësitë natyrore të përmbytjeve, bllokimit nga dëbora apo zjarreve, modernizimin e mëtejshëm të Forcave të Armatosura, kryerjen me sukses të veprimtarive me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë së shtetit modern shqiptar dhe të krijimit të Forcave tona të Armatosura dhe si më të veçantin, certifikimin e plotë të integrimit në NATO.

Dëshiroj të shpreh me këtë rast mirënjohjen më të thellë për Ju dhe presidentin para jush për besimin e mbështetjen e pakursyer, ministrat e mbrojtjes me të cilët pata rastin e mirë të punoja, gjeneralët, dhe të gjithë ushtarakët oficerë, nënoficerë, ushtarë dhe punonjësit civilë në Forcat e Armatosura për punën e shkëlqyer, profesionalizmin, gatishmërinë, disiplinën dhe shpirtin e sakrificës në kryerjen e misionit kushtetues në shërbim të mbrojtjes së vendit, në ndihmë të komunitetit si dhe të paqes dhe sigurisë në botë, duke ngritur lart dinjitetin e ushtrisë dhe shtetit shqiptar.

Një falënderim të ngrohtë drejtoj gjithashtu për homologët e mi të vendeve të tjera të Aleancës, për atashetë ushtarakë të vendeve mike e partnere të akredituar në vendin tonë, për të gjithë përfaqësuesit e tjerë ushtarakë dhe civilë të këtyre vendeve, me të cilët kam pasur privilegjin dhe mundësinë të bashkëpunoj në të mirë të Forcave tona të Armatosura.

Me respekt,

GJENERAL MAJOR XHEMAL GJUNKSHI

SHEF I SHTABIT TË PERGJITHSHEM TË FA-së