Jahjaga: Dialogu Kosovë-Serbi, mënyra e vetme për marrëdhënie të barabarta

62

Atifete Jahjaga dhe Hashim ThaciDialogu Kosovë-Serbi, i lehtësuar nga BE-ja dhe i mbështetur nga SHBA, është mënyra e vetme për marrëdhënie si palë të barabarta, ka thënë presidentja kosovare, Atifete Jahjaga, para shoqatës debatuese Oxford Union.
“Marrëdhëniet mes vendeve te Ballkanit vazhdojnë të mbesin të brishta, të rënda dhe plot mosbesim. Ne akoma nuk kemi arritur të ndërtojmë ura mes nesh, pavarësisht disa hapave të rëndësishëm, të cilat i kemi ndërmarrë gjatë dekadës së fundit për të ndryshuar pikëpamjet e gabuara ndaj njëri- tjetrit”, u shpreh dje Jahjaga.
Presidentja Jahjaga theksoi se “ajo që ishte e paimagjinueshme vetëm një vit më parë, dialogu në mes të Serbisë dhe Kosovës u bë suksesi më i madh, sepse ideja e integrimit evropian – ide e bashkëpunimit dhe marrëveshjes, mbizotëroi”.
“Të dy shtetet, të cilat aspirojnë anëtarësimin në BE, e kanë kuptuar në mënyrë të duhur faktin se përmes dialogut mund të arrijnë zgjidhje për të gjitha çështjet, duke hequr dorë nga idetë e hegjemonizmit dhe duke mësuar të dëgjojnë, të kuptojnë dhe të gjejnë fusha që i bashkojnë. Ne kërkuam një rrugëdalje nga rruga pa krye ku ishim, që të hapim rrugët tona respektive drejt anëtarësimit në BE”, ka thënë presidentja kosovare.
Ne, ka vijuar ajo, duhej të gjenim forcë dhe kurajo për të adresuar atë që ishte gjëja më e vështirë e dekadës së kaluar, hapjen e kapitullit të pajtimit politik me Serbinë dhe akomodimin e komunitetit serb, i cili jeton në pjesën veriore të Kosovës, i mbajtur peng nga hezitimi i Serbisë për të pranuar realitetin e Kosovës së pavarur.
“Ishte kjo bindja me të cilën ne iu qasëm dialogut me Serbinë. Dialogu i lehtësuar nga BE-ja dhe i mbështetur nga SHBA është mënyra e vetme për të rifilluar marrëdhënien tonë si palë të barabarta”, nënvizoi Jahjaga, duke shtuar se dialogu ka për qëllim që të sigurojë stabilitet dhe të ulë tensionet në rajon nëpërmes zgjidhjeve të bazuara në standardet dhe praktikat më të mira evropiane.
Presidentja Jahjaga tha se “ne i kemi hyrë procesit të dialogut të bindur se vetëm nëpërmes dialogut mund të arrijmë stabilitetin e nevojshëm për konsolidimin e vendeve tona, ringjalljen e ekonomive tona dhe ndërtimin e marrëdhënieve fqinjësore, të cilat do të na sigurojnë të ardhmen evropiane”.
Në këtë proces, ka vijuar ajo, ne kemi kërkuar përfshirje politike dhe shoqërore. “Dialogu ishte investim madhor, i cili tejkalon kufijtë ideologjikë dhe politikat ditore. Unë besoj fuqimisht se ai i përcakton rrugët tona dhe prek jetën e secilit qytetar”, tha Jahjaga.
Kosova dhe Serbia në procesin e dialogut drejt normalizimit të marrëdhënieve, të kryesuar nga BE-ja e mbështetur nga SHBA, në nivel të lartë mes kryeministrave Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiç kanë zhvilluar 22 raunde të takimeve në Bruksel.
Thaçi dhe Daçiç zhvilluan takimin e parë në 19 tetor të vitit 2012, ndërsa të 22-in në 12 shkurt 2014.
Që nga fillimi, procesin e ndërmjetëson dhe e udhëheq Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikë të Jashtme, Baronesha Catherine Ashton, e cila, sipas medias në Prishtinë, ka kontaktuar këto ditë kabinetin e kryeministrit të Kosovës, Thaçi, si dhe atë të kryeministrit të Serbisë, Daçiç, në lidhje me organizimin e takimit të radhës në Bruksel. Sipas njoftimeve ende jozyrtare, Ashton kishte propozuar që takimi i radhës të mbahej në 5 mars.
Ndërsa, në 6 shkurt 2013 është mbajtur në Bruksel edhe i pari takim i presidentëve të Kosovës shtet dhe Serbisë – takimi i përbashkët me Përfaqësuesen e Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme, Catherine Ashton, i Presidentes kosovare Atifetje Jahjaga dhe Presidentin serb, Tomislav Nikoliç, pas takimeve të ndara që ka zhvilluar Baronesha me dy presidentët. “Takim për normalizim të marrëdhënieve ndërshtetërore, paqen e stabilitetin në rajon dhe drejt integrimeve evropiane”, e ka vlerësuar presidentja kosovare.