K
Grabitet në qendër të Durrësit, mesditën e djeshme një bankë e nivelit të dytë. Dy persona të maskuar duke kërcënuar personelin dhe rojet me armë zjarri kanë mundur të grabisin një bankë të nivelit të dytë, e cila ndodhet në qendër të qytetit të Durrësit, ngjitur me godinën e bashkisë.
Autorët kanë arritur që të marrin një shumë të konsiderueshme të ardhurash, konkretisht 8.765 Dollarë, 7.015 Euro dhe 17.741.320 lekë të vjetra. Largimi i tyre nuk zgjati shumë pasi policia bëri të mundur identifikimin dhe arrestimin e njërit prej tyre, shtetasit Alban Duka, 31 vjeç, banues në Tiranë.
Mësohet se punonjësit e bankës menjëherë kanë njoftuar policinë e Durrësit, e cila në pak minuta kishte arritur që të krijonte aksionin për kapjen e tyre.
Policia ngriti menjëherë postblloqe në pikat kyçe, ndërsa një patrullë dhe efektivë të qarkullimit rrugor u vunë në ndjekje të motorit, me të cilin lëviznin dy autorët. Për të evituar pranin e forcave të Policisë, autorët kishin menduar të lëviznin nëpërmjet rrugës së vjetër Plepa-Tiranë. Por pak kilometra para se të futeshin në këtë segment, pikërisht në vendin e quajtur Unaza e Plazhit, policia kishte ngritur një tjetër postbllok.
Efektivët pikasën mjetin me të cilin lëviznin dy autorët dhe i urdhëruan ata të hapnin krahun, por duket se personi që ndodhej mbrapa drejtuesit, u hodh menjëherë nga mjeti dhe u largua më shpejtësi në rrugët e ngushta të lagjes Nr. 13, ndërsa shtetasi Alban Duka u neutralizua në kohë nga policia.
Policia e Durrësit bëri me dije se ka sekuestruar në cilësinë e provës materiale armët, maskat, parat e grabitura, si dhe mjetet me të cilat lëviznin autorët. Nën cilësinë e provës materiale autorëve u janë sekuestruar: “një armë zjarri tip automatik kallashnikov, një armë zjarri tip pistoletë, 29 fishekë, 1 motoçikletë, 1 makinë tip Jaguar:, 1 paruke (maskë), 2 bluza dhe 1 çantë që shërbente për vendosjen e parave së bashku me shumën e parave të grabitura”, deklaroi policia e Durrësit