Në bazë të verifikimeve të kryera deri tani nga ekspertët e laboratorit të policisë kriminale këto gjurmë nuk i përkasin asnjë personi me precedent penal, të cilët ndodhen në skedarët e policisë së shtetit.
Për këtë arsye me kërkesë së prokurorëve të çështjes,policia i ka kërkuar firmës Aleat,e cila prodhon dokumentet e identifikimit në Shqipëri të bëjë krahasimin se të kujt janë këto gjurmë gishtërinjsh,nëse ai person ose persona janë pajisur me dokumente biometrike.
Pavarësisht se kërkesa ka disa ditë që është bërë ende nuk ka një përgjigje nga kompania. Policia e shtetit në këtë rast është e detyruar të presë përgjigje, pasi në kontratën e nënshkruar nga ministria e Brendshme me këtë koncesionar, ministria nuk disponon të gjithë gjurmët e gishtave të personave që aplikojnë për dokumente, sepse të dhënat janë në pronësi të firmës “Aleat”.
Ndërsa mësohet nga grupi hetimor se pista kryesore mbi të cilën po hetohet është ajo për shkak të detyrës së Besnik Dervishit si prefekt i Vlorës. Hetime ka patur edhe për persona të veçantë ku në lupën e hetimit janë dy persona tashmë të dënuar për vrasje dhe që ndodhen në qeli, të njohur si organizator të rrjetit të vendosjes së bombave me aparat celular.
Kryesisht hetimet po kryhen në rrethin shoqëror të këtyre dy personave, të cilët dyshohet se janë autorët që kanë vendosur C4-ën në makinën e prefektit. Ndërkohë që policia dhe prokuroria vazhdojnë të marrin në pyetje shumë persona të cilët kanë patur kontakte ditët e fundit me makinën e Besnik Dervishit.