Fleckenstein e Kukan iu drejtohen shqiptarëve për protestat

65

Raportuesi për Shqipërinë në Parlamentin Evropian, Knut Fleckenstein, në bashkëpunim me Eduard Kukan, nga partitë e djathta evropiane, përmes një thirrjeje drejtuar qytetarëve të Shqipërisë kanë kërkuar të përmbahen nga dhuna nëpër protesta.

Ata kanë thënë se i kanë parë me shqetësim imazhet e dhunës në Tiranë të shtunën e kaluar. Sipas tyre, e drejta për të protestuar është thelbësore, por jo me dhunë.

“Me shqetësim të madh kemi parë imazhet e dhunës në Tiranë të shtunën e kaluar, më 11 maj. E drejta për të protestuar është thelbësore në çdo shoqëri demokratike, por kjo kurrë nuk e bën dhunën një instrument te ligjshëm. Ne, deputetët e Parlamentit Evropian, anëtare te familjeve të ndryshme politike evropiane, u bëjmë thirrje të gjithë pjesëmarrësve në protestat e lajmëruara për ditët e ardhshme në Tiranë, të përmbahen nga të gjitha format e dhunës dhe të qëndrojnë larg nga ngjarje të dhunshme. Ne gjithashtu u bëjmë thirrje të gjithë udhëheqësve politikë që të tregojnë përgjegjësi dhe vetëkontroll”, thuhet në letrën e tyre, raporton tch.

“Si deputetë të Parlamentit Evropian, ne nuk synojmë interferimin në ngjarjet në vend. Duam thjesht t’ju kujtojmë se vetëm institucionet dhe proceset demokratike, dialogu parlamentar, procedurat ligjore, zgjedhjet e lira dhe të drejta – janë rruga e vetme përmes te cilës shoqëria shqiptare mund të zgjidhe sfidat serioze që përjeton”, thuhet më tej aty.

Sipas tyre, detyra e deputetëve të PE-së është inkurajimi i përparimit të bërë nga Shqipëria dhe mbështetja e këtij vendi në integrimin evropian.

“Pamjet e se shtunës se kaluar mund të japin përshtypjen e gabuar se vendi juaj nuk është gati për hapjen e negociatave me Bashkimin Evropian në qershor të këtij viti. Qytetarë te Shqipërisë dhe anëtare të shoqërisë civile: Si miq të Shqipërisë dhe përkrahës të integrimit te saj në BE, ju bëjmë thirrje të bëheni pjese e zgjidhjes dhe te jepni kontributin tuaj për te ndaluar dhunën. Është koha e duhur që t’i dërgoni botes një mesazh të qartë se Shqipëria dhe shqiptarët janë të aftë për t’i zgjidhur konfliktet e tyre në mënyrë paqësore dhe demokratike”, kanë thënë dy deputetët në Parlamentin Evropian.