Ëndrra e fshehtë e Ramës

73

rama-ne-autobus

Nga Eni Kondi

Kandidimi i Ramës nuk pritej nga shumica e klasës politike shqiptare. Aq më pak zgjedhja e zonës së tij për kandidim. Shkaktoi debat, polarizime, që çuan deri në akuza nga Kryeministri në pushtet, që u artikuluan në një kombinim, të një niveli thuajse të pandërgjegjshëm : ‘’Nuk ia fal Ramës….që zgjodhi Vlorën…’’. Një fjali, ku nuk kuptohej qartë, nëse fliste e ndërgjegjshmja ndaj Ramës, apo e pandërgjegjshmja ndaj Vlorës. Nuk kuptohej, nëse, nuk i falte faktin se, la Tiranën, apo se zgjodhi Vlorën ? Apo se, i kombinoi këto të dyja, ikjen nga një qytet, ku ia vodhën fitoren, drejt një qyteti ku mund t’ia glorifikojnë atë? Shqetësimi, gjithsesi dukej se qëndronte në anën e atij, që e artikulonte.

Zgjedhja e Ramës, duket të ketë qenë e seleksionuar me kujdes dhe e planifikuar që më përpara. Kjo vërtetohej dhe nga logjika e arsyeve të renditura : ‘’Zgjedhja e Vlorës si Kryeqytet i Shqipërisë dhe i Kosovës, zgjedhja e Vlorës si Kryeqytet i Historisë, Vlorës si Kryeqytet i atyre vlerave dhe idealeve që mundësuan rrugëtimin e Shqipërisë së pavarur’’. Gjithçka e piketuar drejt Vlorës. Fillimi i një Rilindje?

Ndërkohë lideri opozitar, ka zbarkuar së bashku me stafin e fushatës së tij, në Vlorë. Fjala e tij, zbardhte më tej planin e strukturuar. Lëvizjet e tij, po ashtu ishin në sinkron me projektin e planifikuar. Nisja nga Shëtitorja e re, e sapo përfunduar nga Bashkia e Vlorës. Sinjali ishte i qartë, po e nis me këmbën që shkel mbi projektin e parë të sapo përfunduar. Dhe kjo ishte vetëm një shenjë. Në fjalimin e tij, zinte vend të rëndësishëm, denoncimi i faktit, se qeveria dhe për atë shëtitore, që sapo u inaugurua nuk ka lëvruar fonde, se politikat qeveritare nuk kanë synuar veçse izolimin e Vlorës. Rruga që nuk u ndërtua kurrë, për të lidhur direkt Vlorën me Kryeqytetin, ishte një tjetër provë.

Elementë të tjerë të fjalës së tij, fillojnë të formojnë imazhin projektues të destinuar, për t’u vënë në jetë. Ide konkrete dhe të strukturuara. Prezantimi fillon pikërisht me krijimin e  rrugës së munguar, që do të mundësojë lidhjen e Kryeqytetit të Pavarësisë me Tiranën, vazhdon me shndërrimin e Vlorës në Portën e Shqipërisë për Mesdheun dhe Europën. Vazhdon me ngritjen e një Plan Zhvillimi Urban për Vlorën, me rindërtimin e Sheshit të Pavarësisë, ndërtimin e rrugës lidhëse me këtë shesh dhe shëtitoren, hapjen e kantierit te madh, të shëtitores, që do të lidhë Skelën deri poshtë te Uji i Ftohtë, heqjen e makinave nga bregu i Vlorës, duke u ndërtuar by-pass-in për të kaluar njerëzit, në mënyrë që të shëtisin kalimtarët. Dhënien fund të bathorizimit të qytetit dhe ndërtimin e hapësirave publike, që Vlorës i mungojnë. Mbjelljen vetëm në 4 vitet e ardhshme te 10 mijë pemëve të reja në Vlorë.

Pika këto, që tregojnë qartë një projektim të detajuar, të skemës shndërruese të një qyteti bregdetar, me jo pak probleme infrastrukture, në një qytet model turistik, të stilit europian.

Përballë këtij imazhi modelues, u zbardh edhe skema kulturore e projektimit të një qyteti turistik bregdetar me peshë historike: tërheqja e fokusit evropian dhe ndërkombëtar, nëpërmjet shndërrimit të Vlorës në një qendër të aktiviteteve kulturore të nivelit ndërkombëtar. Programi parashikon caktimin e ditëve të veçanta kulturore në Vlorë, duke gërshetuar kulturat e ndryshme, kulturën ballkanike, atë mesdhetare dhe europiane.

Të gjithë këto elementë të shpalosur, planifikimi dhe piketimi i Vlorës nga lideri opozitar, i njohur për aftësitë e tij radikale transformuese edhe në rang ndërkombëtar, kanë vetëm një synim: një ëndërr, e cila duhet të bëhet realitet.

Projektim në vite i një ëndrre të munguar, shumë e thjeshtë, e prekshme, reale, shndërrimi i një qyteti me peshë historike, në një qytet model bregdetar, pikë referimi për turistët europiane dhe ndërkombëtarë. Një qytet, ku të rinjtë të mos largohen më, drejt mundësive që ky qytet nuk mund t’jua ofrojë dot. Një qytet, ku të jetohet normalisht brenda mundësive urbane të konceptuara me qytetari, përballë një sfondi tërheqës bregdetar, që do të thithë turistët e përvitshëm. Një qytet, ku do të ketë më shumë vëmendje mesdhetare, evropiane dhe ndërkombëtare.

Një ëndërr e fshehur në sirtarin e Ramës. Një ëndërr, që trembi edhe kundërshtarin. Një projekt, një ëndërr, dhe një qytet.

Thjesht, një Rilindje, që nis nga Vlora.