Ekstradohen dy shtetas shqiptarë të shpallur në kërkim

65

Interpol_TiranaGjatë ditës së sotme Interpol Tirana ekstradoi drejt Shqipërisë 2 shtetas shqiptarë të shpallur në kërkim ndërkombëtar për vrasje me paramendim mbetur në tentativë dhe vjedhje me dhunë. Sipas burimeve të Policisë,nga Roma Itali u krye ekstradimi drejt vendit tonë i shtetasit Samet Ymer Hoxha,vjeç 25, nga Elbasani. Gjykata e Rrethit Gjyqësor, Elbasan, me vendimin Nr. 199, datë 21.03.2013, ka vendosur masën e sigurisë “Arrest në burg“ shtetasin Samet Hoxha, pasi dyshohet për kryerjen e veprës penale të “Vrasje me paramendim“ e mbetur në tentativë e parashikuar nga nenet 78, 22 dhe 25 të Kodit Penal. I ekstraduari Samet Hoxha dyshohet se në bashkëpunim me shtetasin Sokol Sejda kanë tentuar të vrasin shtetasin A.A., më 16.02.2013, në qytetin e Elbasanit. Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tirana me Interpol Roma, u bë i mundur arrestimi i tij në Itali, me qëllim ekstradimi drejt vendit tonë. Po sot nga Londra, Angli, Interpol Tirana ekstradoi drejt Shqiperisë shtetasin shqiptar Andi Prençi, vjeç 20, nga Peshkopia. Për këtë shtetas Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, me vendimin nr.1439, datë 18.10.2012, ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg“, pasi akuzohet për kryerjen e veprës penale të “vjedhjes me dhunë“. I ekstraduari Andi Prençi, më datë 11.08.2011 dhe më datë 24.09.2011 duke përdorur një thikë, kërcenime dhe forcë ka vjedhur me dhunë nga prindërit e tij në të dy rastet një sasi prej 40 mijë lekësh dhe një telefon celular. Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tirana me Interpol Londrën u bë i mundur arrestimi, me qëllim ekstradimi drejt vendit tonë i shtetasit Andi Prençi. Në aeroportin “Nënë Tereza” në Rinas dy shtetasit e ekstraduar iu dorëzuan përfaqësuesve të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.