Egjipti, SHBA-BE thirrje për dialog

60

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian kanë bërë thirrje ndaj të gjitha palëve, në krizën politike të Egjiptit, t’i japin fund “ngërçit të rrezikshëm”, pasi qeveria e përkohshme tha se ndërmjetësimi i huaj dështoi.

Në një deklaratë të përbashkët, ata thanë se qeveria e Egjiptit kishte një përgjegjësi speciale për të nisur këtë proces. Qeveria e mbështetur nga ushtria njoftoi se do të prishë bllokadat në Kajro, nga mbështetësit e presidentit të rrëzuar Morsi.

Me dhjetëra kanë vdekur nëpër trazira, që prej largimit të Mohammed Morsi nga pushteti, më 3 korrik. Ndërkohë, diplomatët nga SHBA, BE, Katari dhe Emiratet e Bashkuara Arabe janë përpjekur për të rikthyer procesin politik në Egjipt në rrugën e duhur.

Gjithsesi, të mërkurën, zyra e presidentit të përkohshëm, Adly Mansour, deklaroi përmes një njoftimi se “faza e përpjekjeve diplomatike ka përfunduar sot (dje)”. “Këto përpjekje nuk arritën rezultatet e shpresuara”, thuhej në deklaratë.

Ashton-dhe-Kerry-280x200Presidenca tha se fajëson Vllazërinë Muslimane, që mbështet Morsi-n, “si përgjegjësen totale për dështimin e këtyre përpjekjeve”.

Deklarata e qeverisë erdhi pak orë pasi zëvendës-Sekretari amerikan i Shtetit, William Burns, u largua nga Egjipti, pas disa ditësh bisedimesh ndërmjetësuese. Ai u asistua nga i dërguari i BE-së, Bernardino Leon.

Menjëherë pas kësaj, Sekretari i Shtetit John Kerry dhe Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Catherine Ashton, lëshuan një deklaratë të përbashkët.

“Edhe pse përplasjet e mëtejshme të dhunshme janë shmangur deri më tani, ne mbetemi të shqetësuar se qeveria dhe liderët e opozitës nuk kanë gjetur ende një rrugë për të ndalur këtë ngërç të rrezikshëm, si dhe për të implementuar masa të prekshme të krijimit të besimit. Tashmë nuk është koha për të përcaktuar fajtorin, por për të ndërmarrë hapa, që mund të ndihmojnë në nisjen e dialogut dhe vazhdimin e tranzicionit” thanë ata.