Përpara se këto dy familje të kenë hequr mbërthimin që i kanë bërë sistemit elektoral amerikan, do të na duhet të shohim mbesën e Chelseat, tek mund të në zgjedhje nipin e George P., Prescott Walker Bush. Barak Obama, që dikur ëndërronte të ishte një president transformues, do të rezultojë thjeshtë një “lemzë” në histori, ai politikani i përkohshëm që thjeshtë ofroi një periudhë të vogël pushimi, teksa Hillary dhe Jeb përgatiteshin për garë.
Zgjedhjet për president supozohet që të na bëjnë të ndihemi të rinj dhe të ngazëllyer, sikur të jemi drejt një fillimi të ri. Kështu ndodhi me JFK dhe Obamën dhe, ndonëse po mbushte 70 vjec kur po merrte detyrën, edhe me Ronald Reaganin. Por sot, një tjetër garë Bush-Clinton na bën të ndihemi të lodhur.
Shoqëria jonë meritokratike duket gjithnjë e më shumë nepotike dhe dinastike. Ka 32 vite rresht që në Shtëpinë e Bardhë ka patur një Bush apo një Clinton. Michael Crowley i Time kishte shkruajtur në Twitter të premten: “Cili prej jush mezi po pret për 10 vite të tjerë, të dhënë pas të kaluarës, të tashmes dhe të ardhmes së Hillary-së?” Clintonët nuk munden. Ata thjeshtë shtyhen në kohë.
Ashtu si Hillary bën gati terrenin në Partinë Demokratikë, nëse do të jetë mirë me shëndet dhe do të kandidojë, një prej donatorëve të mëdhenj të Romney-t tha për Uashington Post se “nëse Jeb Bushi është në garë, edhe ai e pastron fushën për vete”. Të hënën, Jeb Bush, kur iu kërkua të komentojë thënien e mamasë së tij se “nëse ne amerikanët nuk gjejmë më shumë se dy-tre familje për të garuar për president, ky është budallallëk”, u përgjigj: “për mua, ky nuk është problem”. Dhe shtoi: “Është një gjë që, nëse kandidoj, do të më duhet ta kapërcej. E njëjta gjë dhe për Hillary-në. Le të kemi të njëjtët standarde, për të gjithë”.
Kemi mbërritur në një botë të re të teknologjisë së shekullit 21, ku robotët po bëhen më të mencur se qeniet njerëzore. Megjithatë, politikisht vazhdojmë të udhëtojmë drejt të kaluarës.
Kur Clintonët humbën përballë Obamës, ata thjeshtë e shndërruan presidencën Obama në favor të tyre. Jim Messina, menaxheri i fushatës së Obamës në 2012, si dhe disa të tjerë që punuan për Obamën, tani po ndihmojnë Hillary-në. Dhe Bill po shfaqet si kryemenaxheri i fushatës, duke u përpjekur të mbajë sa më të shkëlqyeshëm dhe joshës emrin Clinton në 2014.
Dokumentet e reja që dolën të premten, në lidhje me kohën kur Hillary ishte Zonjë e Parë janë shumë domethënës. Ka pako me këshilla se si të orientonte reformën për Shëndetësinë, të cilat duhet të kenë mbushur dosjet e famshme të kartonit që Hillary mbante gjithmonë me vete. Por a i përthithi ajo mësimet, duke parë që reforma shëndetësore dështoi pikërisht për arsye se ajo refuzoi të ishte fleksibël si dhe të bënte kompromiset e nevojshëm që sugjeronin bashkëshorti dhe aleatët? Ajo është gjithmonë në seanca dëgjimi, por a mban vesh? Një prej këshilltarëve për reformën shëndetësore, sipas dokumenteve, i pati sugjeruar: “Duhet të dukemi sikur po dëgjojmë”.
Ashtu si kujtimet e mikeshës së ndjerë të Hillary-së, Diane Blair, një politologe në Universitetin e Arkansasit, edhe dokumentet e rinj tregojnë se sa të kokolepsura ishin jetët publike dhe private të Clintonëve në Shtëpinë e Bardhë. Në një memo të vitit 1995, Lisa Caputo, sekretarja për median e Zonjës së Parë, sheh një shans për fushatën e ardhshme për rizgjedhjen e Clintonit, duke organizuar “një festë të madhe” për përvjetorin e 20 të martesës së Clintonëve. “Mund t’i ofrojmë revistës People një seri të mrekullueshme fotografish nga festa, bashkë me fotografi të vjetra të muajit të tyre të mjaltit si dhe momenteve më specialë të çiftit në 20 vitet e fundit”, shkruante Caputo.
Të dy palët e dokumenteve nxjerrin edhe një herë zbuluar përpjekjet e kahershme herkuliane se si i duhet prezantuar Hillary publikut dhe botës, si të shndërrohet modeli i saj i flokëve dhe karakteri i saj, në një imazh autentik. “Kujdesu që të dukesh e vërtetë”, i shkruante Hillary-së, Mandy Grunvald, këshilltar për median, përpara një dreke që do të hante me disa fermerë në Nju Jork. “E bëre mirë tek intervista për “Rather”, aty ku pranove që, sigurisht që viti i kaluar ishte i vështirë. Pasi bie dakord me gazetarët për një realitet të tillë, kjo të krijon hapësirë që pastaj të thuash çfarë të duash”. Grunvald e këshillon Zonjën e Parë që të “shikojë për mundësi për të bërë humor, dhe të mos shfaqet në vetëmbrojtje”. E vështirë të kuptosh përse duhen gjithë këto përllogaritje për “t’u dukur e vërtetë”, ashtu sikurse është e vërtetë të kuptosh se si Hillary kalon me lehtësi nga pozicione feministë, në pozicione jofeministë.
Në dokumentet e Blair, këndvështrimi privat që Hillary kishte për çështjen Levinski i afrohej shumë arsyetimit të çalë që ofronte Billi dhe miqtë e tij.
“Hillary Rodham Clinton këmbëngul, pavarësisht se çfarë thonë njerëzit”, thoshte Blair, pasi kish biseduar me të në telefon, “se ishte një sjellje e shpifur dhe e papërshtatshme, por ishte konsensuale (nuk ishte një marrëdhënie prej pushtetit) dhe nuk ishte seks me ndonjë kuptimin e vërtetë të fjalës (ngrihu, ulu, oral etj)”.
Presidenti që ia dridhte me një punonjëse 22-vjecare të Shtëpisë së Bardhë “nuk ishte një marrëdhënie pushteti”, dhe disa lloje seksi nuk quhen?
Ashtu si aleatët e saj, Sidney Blumenthal dhe Charlie Rangel, Hillary e përshkruan dashnoren e të shoqit si një erotomaniake. Pak e çmendur, pak si kuckë. “Ishte gabim”, shkruan Blair. “Por ajo thotë se nuk duhet mohuar që Billi u përpoq ta ndërpresë, të largohet, u përpoq të menaxhojë me kujdes një femër narciziste të cmendur. Por, ishte përtej kontrollit të tij”.
Kaskada e dokumentave, risjell në kujtesë grindjet stresuese të Hillary-së. Me të shoqin, median, Kongresin dhe Komplotin e Madh të të djathtës. Dhe të kujton problemin e saj, që është kaq shqetësues dhe i vështirë për t’u kuptuar. Ajo është një grua shumë e ndërlikuar, që ka dy anë. Është shërbyesja publike e palodhur dhe e talentuar. Dhë është luftëtarja e lodhur që mund të jetë e pasigurtë dhe në vetëmbrojtje, dikush që është kapur pas një mentaliteti bunkeri, kur do t’i kish dalë më mirë nëse do të kish hequr dorë nga kruspullimi vetëmbrojtës.
Tek bisedonte me shoqen e saj, Blair, Hillary kish shumë fjalë të ndyra për të thënë për “kundërshtarët” e saj në media dhe në Partinë Republikane.
Blair thoshte se Hillary ishte e tërbuar edhe me Billin, që “shkatërroi veten dhe presidencën në vitin 1994”. Dikur, në 1993, Hillary ka thënë se shtypi “ka ego të madhe por nuk ka tru”. Në fakt, kjo flet më shumë për betejat e saj titanike dhe për plagët që i kanë lënë.
Ajo ka kaluar kaq shumë kohë në kërkim të identitetit të duhur, duke dëgjuar të tjerët t’i thonë se kush duhet të jetë, duke i rezistuar ose ndjekur këshillat për të qenë “e vërtetë”, saqë na ka lënë ne, edhe sot, me të njëjtën pyetje që kishim kur u shfaq në skenë në vitin 1992: Cila është Hillary Clinton? /bota.al/