Dekretet, Nishani: Vendime të tilla, të mos cënohen nga interesa politike

62

For the story BC-EU—Albania-PresidentPresidenti i Republikës, Bujar Nishani, konsideron se vendimi i mazhorancës për të rrëzuar dekretet e tij për anëtarët e Gjykatës së Lartë, është bazuar në një gjykim të thjeshtëzuar, një arsyetim të pabazuar dhe një justifikim të sforcuar. Sipas presidentit, për përzgjedhjen e dy kandidatëve Petrit Çeno dhe Gjovalin Përnoca, është garantuar tërësia e parimeve kushtetuese.

Presidenti Nishani thekson se me dekretimin e zotërinjve Petrit Çeno dhe Gjovalin Përnoca, i ka qëndruar korrekt kritereve ligjore të: vjetërsisë në profesion; cilësisë së lartë të punës së kandidatit; ecurisë në karrierë; integritetit të lartë moral, pa anashkaluar përbërjen e trupës gjyqësore të Gjykatës së Lartë sipas raportit të përcaktuar nga ligjvënësi.

“Në të kundërt të kësaj, me keqardhje, Presidenti konstaton se në rastin e refuzimit të fundit, refuzuesit kanë vepruar në rend të kundërt. Kanë marrë një vendim, direktivë, ndoshta sugjerim, ndoshta urdhër, dhe në përputhje me këtë, kanë hartuar relacionin, kanë sugjeruar grupeve parlamentare të Shumicës refuzimin. Është në favor të interesit të përgjithshëm të vendit dhe qytetarëve shqiptarë, që vendimmarrje të tilla që në thelb kanë edhe parimin e luajalitetit ndërinstitucional, të mos cenohen nga interesa të grupimeve politike.”- thekson presidenti

“Bazuar në detyrimet kushtetuese dhe në ligjin “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës së Lartë, të Republikës së Shqipërisë”, që siç dihet është ndryshuar me miratim dhe konsensus të gjerë politik, realizuam këtë proces duke bërë njoftimin publik për fillimin e procedurave, shpallëm publikisht emrat konkretë të kandidatëve të cilët plotësonin kushtet ligjore, procedura, të cilat u bënë prezent gjatë procesit të këshillimit me përfaqësues të grupeve parlamentare. Vlerësova veçanërisht procesin e bashkëpunimit me përfaqësuesit në Kuvend dhe dakordësinë e tyre për kushtet dhe kriteret konkrete bazuar ne listën e konkurrenteve për një përbërje cilësore të Gjykatës së Lartë.”- nënvizon presidenti.

“Në një vështrim më të thellë, e shprehur në mënyrë të kondensuar, ajo që ndodhi me votimin, është një tregues më se i qartë se konsensusi politik i arritur mes palëve pas kërkesës së Bashkimit Europian për Ligjin e ri të Gjykatës së Lartë, të bind se konsensusi në fjalë nuk e kaloi provën. Çfarë vihet re fare qartë është se refuzimi u bë përmes një truku procedurial. Flitet për “Presidentin” nga njëra anë, dhe nga ana tjetër për “Shumicën Qeverisëse” qe ka përballë një palë armike politike. Çka është një qasje apo tablo thellësisht e gabuar.”- vijon më tej kreu i shtetit.

Një ditë më parë me votat e deputetëve të maxhorancës, Kuvendi rrëzoi dekretet e Presidentit të Republikës për emërimin e dy anëtarëve të rinj të Gjykatës së Lartë.

Pas një votimi nominal, me 44 vota pro, 77 vota kundër dhe 2 abstenime kandidati i propozuar, Petrit Çeno nuk mori pëlqimin e Kuvendit për të qenë gjyqtar në Gjykatën e Lartë.

Edhe kandidatit tjetër, Gjovalin Përnoca, me 39 vota pro dhe 75 vota kundër nuk mori pëlqimin e Kuvendit për të qenë pjesë e kësaj gjykate.