Cana-Januzajt: Kombëtarja jote është Shqipëria

51

januzajnLorik Cana karikon ekipin kuqezi në prag të sfidës me Slloveninë. Në një intervistë për “Top Channel” në emisionin “Procesi Sportiv”, kapiteni i Kombëtares foli për mundësitë e skuadrës në dy transfertat e radhës, mungesën e Mavrajt, Lazion, por u ndal edhe te Adnan Januzaj.

Për talentin shqiptar të Manchester United Cana foli me superlativa teksa në fund u shpreh se Kombëtarja e tij është Shqipëria.

“Më e rëndësishme është që ai i ka shanset të luajë me Shqipërinë, sepse nuk është aktivizuar në asnjë skuadër tjetër më parë. Duhet të vazhdojmë të ushtrojmë presion, pra të jetë gjithnjë në fokusin e Shqipërisë, por mbi të gjitha më e rëndësishme është që ai të ketë shëndet, të luajë rregullisht dhe të jetë i sigurt në të ardhmen e tij. Duhet të rritet gjithnjë e më shumë. Luan në një ndër klubet më të mëdha në botë, çka nuk e ka arritur asnjë shqiptar tjetër në këtë moshë. Kur të vijë koha të zgjedhë një përfaqësuese, ai e di fort mirë se përfaqësuesja që i përket dhe që e mirëpret është ajo e Shqipërisë. Të jeni të bindur se nëse vjen, do e presim ashtu siç kemi pritur edhe shumë lojtarë të tjerë të rinj që kanë ardhur”, u shpreh kapiteni i Kombëtares kuqezi.