Brukseli Serbisë: Kujdes Gazprom-in ose nuk futeni në BE

52

beBrukseli duket se i ka vënë kushte të rrepta Serbisë në lidhje me kontratën e Gazpromit. Komisioneri Evropian i Energjisë, Guenther Oettinger, ka deklaruar se Serbia duhet të ndryshojë kontratën me Gazprom-in, që të mos jetë në kundërshtim me rregullat e BE-së.

“Ky kusht vlen në qoftë se Serbia dëshiron që të parandalojë një ngrirje të procesit të bisedimeve përreth pranimit të saj në BE”, -shkruan agjencia e lajmeve serbe, “Tanjung”.

“Bisedimet me Bashkimin Evropian për Serbinë dhe Rusinë është një proces që duhet të ecë paralel për të dy vendet. Serbia është anëtare e Komunitetit Evropian të Energjisë dhe si e tillë duhet t’i zbatojë kushtet e vëna”, -u shpreh Oettinger, përgjatë një forumi mbi politikat e energjisë së BE-së, të zhvilluar në Bruksel.

“Në kontratën me Gazprom-in bëjnë pjesë gjashtë shtete të Bashkimit Evropian  dhe Serbia po thyen rregullat e BE-së, ç’ka mund të çojë në një dëmtim ekologjik”, -tha më tej Oettinger.

Komisioneri Evropian vuri në dukje se do të takohet me ministrin e Energjisë të Rusisë, Alexandër Novak, në emër të gjashtë anëtarëve të BE-së, për të filluar bisedimet mbi rishikimin e kontratave të tyre me Gazprom-in.

Edhe pse nuk është kjo çështja më e rëndësishme e momentit, “Serbia duhet të ketë kujdes që të mos lejojë që bisedimet e saj me BE-në të shkojnë drejt ngrirjes, për shkak të kësaj çështjeje”, -ka theksuar ai.

Më herët gjatë këtij muaji, zyrtarët e BE-së thanë se marrëveshjet dypalëshe për të ndërtuar gazsjellësin po thyenin ligjet e BE-së. Pas kësaj deklarate reagoi qeveria serbe duke thënë se Serbia nuk do ta rishikojë marrëveshjen me Rusinë dhe se kjo është një çështje që duhet të zgjidhet ndërmjet Rusisë dhe Bashkimit Evropian.