Bombë në shtëpinë e zyrtarit gjakovar

54

xhelal hoxhaNjë mjet shpërthyes është gjetur mbrëmë pas mesnate para shtëpisë së drejtorit të sapoemëruar të Urbanistikës në komunën e Gjakovës, Xhelal Hoxha.
Lajmin e bëjnë të ditur mediat kosovare, të cilat citojnë zëdhënësin e policisë rajonale, Xhevat Ibra. Ibra ka thënë se ekipet speciale të deminimit kanë bërë tërheqjen e mjetit shpërthyes pa shkaktuar dëme.

Gjithashtu, forcat e policisë në vendin e ngjarjes kanë kryer ekspertizën për gjetjen e gjurmëve eventuale të autorit apo autorëve, ndërsa një grup i posaçëm ka nisur hetimet.

Ndaj këtij akti ka reaguar edhe Komuna e Gjakovës, e cila e ka dënuar ashpër atë, ndërkohë që ka deklaruar se nuk do të frikësohet nga të tilla veprime.

“Qeverisja lokale përkundër këtij akti qyqar mbetet e vendosur që të vazhdojë me punën dhe angazhimin e duhur në të mirë të të gjithë banorëve të komunës së Gjakovës”, thuhet në reagimin e saj.

“Besojmë fuqishëm se organet e drejtësisë së shpejti do të zbardhin rastin dhe autorët e kësaj vepre do të japin përgjegjësi para ligjit”, vijohet më tej në deklaratën për shtyp.