
Rinis procesi gjyqësor i ish-presidentit Morsi
Procesi gjyqësor i presidentit të shkarkuar islamik Mohamed Morsi, vijon gjykimin në lidhje me vdekjen e manifestuesve në dhjetorin e 2012-ës ndërsa ai mbante postin e presidentit.
Morsi i shkarkuar nga ushtria më 3 korrik 2013 akuzohet për nxitje të mbështetësve të tij për kryerjen e vrasjeve me paramendim gjatë protestave të dhunshme të cilat shkaktuan të paktën shtatë të vdekur para pallatit presidencial në Kajro më 5 dhjetor 2012.
Ai rrezikon dënimin me vdekje, gjykim që pritet të jepet edhe ndaj 14 bashkëpunëtorëve të tij të akuzuar, ish-zyrtarë të lartë të qeverisë, bashkëpunëtorë të ngushtë dhe përfaqësues të “Vëllazërisë Myslimane”.
Ermonela Jaho: Ndihem e lumtur nga ky vlerësim
“Nuk ka emocion më të madh dhe kënaqësi të jashtëzakonshme kur ndihesh e rrethuar me dashuri dhe vlerësim”, u shpreh sopranoja e njohur Ermonela Jaho gjatë ceremonisë së nderimit me medalje nga Kryeministri Edi Rama.
Gjatë fjalës së saj Ermonela Jaho theksoi se falenderonte pjesëmarrësit dhe kryeministrin Rama.
“Doja të thoja se nuk ka emocion më të madh dhe kënaqësi të jashtëzakonshme, kur ndihesh e rrethuar me dashuri dhe vlerësim. Mendoj se vlerësimi për njëri- tjetrin është çelësi kryesor i suksesit të çdo lloj ndërmarrje. Këtë gjë provova me rolin tim në operën “Madame Butterfly” në Teatrin e Operës dhe Baletit në Tiranë”, tha sopranoja e cila vite qe kendon ne skenat më prestigjioze të botës me shumë sukses.
“Gjithmonë kemi menduar dhe këtu flas në emër të shumë artistëve me të cilët kam folur jashtë Shqipërisë, që e kemi vështirë të vlerësojmë e bashkëpunojmë me njëri tjetrin, por në momentin kur i gjejmë çelësin zemrës, respektojmë, vlerësojmë bashkëpunojmë me njëri tjetrit. Ne shqiptarët bëjmë mrekullira, siç ishte mrekullia kur bashkuam të gjithë zemrat, në operën “Madamme Butterfly” . Ishte ky rezultat , që bëri që njerëzit donin të vinin jo për të parë këngëtaren, por për të ndjerë diçka të vërtetë e të sinqertë, që vinte nga ky bashkim zemrash që bëmë ne artistët shqiptarë”, nënvizoi sopranoja Jaho.
Duke shprehur falenderimet për dhënien e kësaj medalje, sopranoja Ermonela Jaho nënvizoi se “ky është hapi i parë që një artist duhet të bëjë për vendin e tij”.Rama dekoron Ermonela Jahon (4Foto Flor Abazaj
Sopranoja e njohur Ermonela Jaho u rikthye në skenën shqiptare me operën “Madam Butterfly” në Teatrin e Operas dhe Baletit në Tiranë pas shtatë vitesh mungesë.
Ajo ka interpretuar dhe vazhdon të shënojë në kalendarin e saj artistik, skenat më të njohura operistike si Opera Mbretërore e Londrës, Teatri i Scala-s të Milanos, Opera Metropolitan e Nju Jork-ut, Teatri i Champs-Elysees,etj.
PD: Në krye të CEZ, një i dënuar për shpërdorim detyre
Partia Demokratike, nëpërmjet zëdhënses Laura Vorpsi, denoncoi të shtunën, emërimin në krye të Task- Forcë-s së CEZ në Tiranë, të një personi të dënuar nga gjykata me vendim të formës së prerë Ajo akuzoi qeverinë për papërgjegjshmëri te saj në vendosjen në krye të institucioneve, te njerëzve të lidhur me krimin.
Vorpsi, në deklaratën për mediat thotë se, “me Edi Ramën, energjia elektrike do tu kushtojë shumë shqiptarëve. Në postin më të rëndësishm të kësaj ndërmarrje në Tiranë, është vendosur Idajet Buzi, një ish-i dënuar në vitin 2009 nga Gjykata e Durrësit, për shpërdorim detyre”.
Ajo tha se “ky emërim tregon se Kryeministri i ka vetëm fjalë angazhimet për etikë në qeverisje, për transparencë dhe përgjegjshmëri “.
“Kriteri që ai ka dhe standardi që aplikon është që t’u shërbejë me besnikëri miqve dhe klaneve të tij të pushtetit, edhe kur janë të dënuar nga drejtësia”, përfundoi Vorpsi.
Rama, Medalje Nderi Ermonela Jahos
Sopranoja shqiptare me famë botërore, Ermonela Jaho, u nderua sot me Medalje Nderi nga kryeministri Edi Rama, në një ceremoni që u zhvillua në selinë qendrore të Qeverisë, ku morën pjesë, anëtarë të kabinetit qeveritar dhe personalitete të larta të politikës, artit dhe kulturës në vend.
Në fjalën e tij, kreu i qeverisë vlerësoi lart vlerat artistike dhe kontributin e sopranos Ermonela Jaho, në përshfaqjen dhe ngritjen e imazhit të Shqipërisë në piedestalet e artit botëror.
Ndërsa iu referua shprehjes “Arti nuk ka atdhe por atistët kanë”, Rama tha se “jam krenar që Ermonela Jaho e cila i takon gjithë botës dhe që atdhe ka Shqipërinë, është këtu me ne për të na dhënë kurajo dhe besim që edhe Shqipëria do të jetë një ditë përkrah Francës, Austrisë, Britanisë së Madhe, njësoj siç është në axhendën e këngëtares së madhe”.
Ndërsa e cilësoi Jahon si artiste të kategorisë superiore, Rama tha se ajo është sot një ndër ambasadoret më të mira të Shqipërisë dhe imazhit të saj në botë.
“Politikanët dhe ambasadorët kanë punë me shumë rëndësi për të bërë, por të mos harrojmë që ambasadorët tanë nuk janë vetëm ata që nëpër botë paraqiten me kostumin e diplomatit. Zëri i Ermonelës është zëri shqiptar që përcillet si rreze drite në artin botëror, ndaj dhe Shqipëria është me fat që ka një ambasadore të tillë, të cilën do të na e kishte zili çdo vend në botë”, vlerësoi Rama.
Nderimi që iu bë sot sopranos së madhe nga kreu i Ekzekutivit, mund të konsiderohet ndër më të lartët, pasi medalja që iu akordua asaj, rezervohet ekskluzivisht për krerë shtetesh.
Ambasada e SHBA ndalon punonjësit e saj të shkojnë në Lazarat
Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, ndalon të gjithë punonjësit e qeverisë Amerikane që jetojnë në Shqipëri, të shkojnë në fshatin Lazarat të Gjirokastrës.
“Ambasada e SHBA në Tiranë njofton shtetasit e SHBA se Ambasada e SHBA u ka ndaluar punonjësve të qeverisë amerikane të udhëtojnë në qytetin e Lazaratit, në rrethin e Gjirokastrës të Shqipërisë jugore”, thuhet në njoftimin që ambasada ka publikuar në gjuhën angleze në seksionin “Security messages for US Cityzen”, të faqes së saj online.
Ambasada e SHBA-së thekon se, “Lazarati njihet si një prej zonave të prodhimit më të madh të marijuanës në Europë”.
“Në 2004-ën një ndërhyrje e policisë rezultoi në një betejë të vërtetë që çoi në shkatërrimin e Postës Policore në Lazarat. Në vitin 2012 policia tentoi të kontrollonte plantacionet e marijuanës, por u përballë me grupe të armatosura”, thuhet në njoftimin e ambasadës amerikane.
Që në atë kohë, vijon njoftimi i ambasadës amerikanë në Tiranë, “zona është lënë jashtë kontrollit të ligjit dhe pa praninë e policisë, duke i dhënë mundësi trafikantëve që të lëvizin të lirshëm dhe të ndalojnë hyrjen e personave në fshat”.
Samaras: Asnjë organizatë kriminale nuk do të bëhet rregullator i jetës tonë
Nuk do të lejoj kurrë që një organizatë kriminale të bëhet rregullator i jetës tonë politike, deklaroi kryeministri grek, Antonis Samaras. Lidhur me ngjarjet e ditëve të fundit, Samaras theksoi se ishte ai personalisht që e luftoi që në fillim partinë ”Agimi i artë”, me ashpër se kushdo tjetër. ”Nuk do të lejoj sjelle të papranueshme nga kushdo zyrtar i qeverisë”, nënvizoi kryeministri. Samaras vuri në dukje se qeveria vazhdon, me të njëjtin besim të patundur të mbështesë absolutisht pavarësinë e drejtësisë dhe shtoi se gjithë ata që kërkojnë dorëheqjen e dy ministrave (të Rendit dhe të Drejtësisë), identifikohen me ”Agimin e artë” për qëllime partiake. Samaras përsëriti se Greqia po del nga kriza, po del në tregjet financiare ndërkombëtare dhe askush nuk mund ta ndryshojë këtë. ”Dhe nuk lejojmë askënd të na tërheqë përsëri mbrapa. Kujtoni se ku ishim para dy vjetësh. Me sakrificat e popullit grek bëmë atë që nuk e priste kush dhe tani që po zenë vend ato sakrifica, avancojmë në një faqe të re për Greqinë. Vijën e drejtë që kam ideuar për atdheun nuk e ndryshoj”, theksoi Samaras.
INUK-u aksion edhe në bregdetin e Tales
Inspektorati Ndërtimor Urbanistik Kombëtarë, gjatë ditës së sotme ka vijuar aksionin në vijën bregdetare të Tales.
INUK-u ka gjetur mbështetjen e Komunës së Shënkollit për të realizuar deri në fund misionin e ndërmarrë, edhe pse nuk pati kundërshti e as revoltë nga pronarët e këtyre objekteve që u rrafshuan nga inspektorati.
Ndërkohë mësohet se, në bregdetin e Tales deri më tani janë prishur 20 ndërtime, dy prej të cilëve kanë qenë të ndërtuara buzë detit.
Për kreun e komunës Shënkoll, Fran Frrokaj, është e nevojshme që ligji të zbatohet, ndonëse kishte kërkuar që aksioni të shtyhej për në shtator në mënyrë që të kalonte edhe ky sezon.
Pas prishjes së këtyre ndërtimeve, është kërkuar që të nis menjëherë pastrimi i plazhit në mënyrë të tillë që, kur të çelet sezoni i plazhit gjithçka të jetë në rregull për pushuesit, të cilët zgjedhin bregdetin e Tales për të kaluar pushimet verore.
Vritet gazetarja gjermane në Afganistan
Një gazetare ka humbur jetën ndërsa një tjetër është plagosur në Afganistan, pasi ndodheshin atje për të raportuar për zgjedhjet parlamentare që do të zhvillohen nesër në këtë shtet.
Lajmi është bërë i ditur nga “Associated Press”, sipas së cilës, “Anja Niedringhaus nga Gjermania vdiq, ndërkohë që gazetarja tjetër Kathy Gannon ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore”. Talebanët afganë paralajmëruan sot për sulme kamikazë të një game të gjerë, që do të kryhen nesër në të gjithë vendin, ditën e zgjedhjeve presidenciale.
Në një komunikatë të publikuar në faqen e tij në internet, i ashtuquajturi Emirati Islamik i Afganistanit (IEA) kërcënoi duke theksuar se, ”këto zgjedhje false do të jenë nën shënjestrën e muxhahedinëve tanë”.
Anja Niedringhaus ka fituar dhe çmimin e madh në gazetari ‘Pulitzer’ gjatë shërbimit që ka kryer në Irak.








