Zëdhënësja e përfaqësueses së lartë evropiane, Maja Kocijancic, ka deklaruar se tani për tani, nuk ka takim të ri ndërmjet të dy kryeministrave.
“Pres që të gjitha palët do të jenë në kontakt”, tha ajo, për të shtuar se megjithatë puna në çështjet e mbetura të pazgjidhura në temën e drejtësisë, vazhdojnë të diskutohen për të gjetur modalitetet e duhura.
Sipas saj, nëse palët arrijnë marrëveshje dhe ndryshon rezultati, në dallim nga takimi i fundit ku u tha se nuk ka marrëveshje, atëherë këto ndryshime do të përfshihen në raportin e shefes së diplomacisë evropiane, i cili do t’i paraqitet Këshillit të Ministrave, javën e ardhshme.
“Puna po vazhdon, në një numër të çështjeve, dhe të gjitha këto do të merren parasysh. Raporti ende po përgatitet. Përfaqësuesja e Lartë do ta paraqes në fillim të javës dhe gjithçka që ndodh në ndërkohë, do të merret parasysh dhe do përfshihet në këtë raport”, tha Kocijancic.
Kryeministrat e Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçi e Ivica Dacic, janë takuar të premten sërish në Bruksel, për të diskutuar modalitetet e zbatimit të marrëveshjes së 19 prillit në fushën e drejtësisë.
Raundi i 20-të i dialogut që lehtësohet nga Bashkimi Evropian, nuk ka sjell ëndonjë përparim në këtë temë, kanë bërë të ditur dy kryeministrat pas takimit.