Sipas BB ky vit do të jetë pikë kthese vecanërisht për vendet e zhvilluara shumica e të cilave do të hedhin pas krahëve krizën financiare dhe do të raportojnë një ekonomi në rritje të qëndrueshme.
Megjithatë, BB në raportin e saj paralajmëron se ekonomia globale në tërësi kërcënohet nga masat stimuluese të Shteteve të Bashkuara duke nënkuptuar se një tërheqje e autoriteteve amerikane nga stimulimi i ekonomisë ngadalëson të gjithë procesin e rimëkëmbjes së ekonomisë botërore.
“Rritja ekonomike në vendet e zhvilluara dhe në ato me të ardhura të larta pritet të forcohet gjatë këtij viti, por risqet mbeten prezente. Performanca e ekonomive të vendeve të zhvilluara është në momentin më të mirë që prej nisjes së krizës dhe kjo do të përkthehet në rritje më të fortë në muajt pasues. Megjithatë, për të përshpejtuar reduktimin e varfërisë, vendet në zhvillim duhet të përshtasin reforma strukturore në ekonomitë përkatëse duke vënë theksin tek krijimi i vendeve të reja të punës dhe forcimi i sistemeve financiare”, deklaroi kreu i Bankës Botërore, Jim Yong Kim.
Banka Botërore parashikon që Prodhimi Bruto në rang global pritet të rritet me 3.2 përqind këtë vit, 0.8 përqind më shumë nga sa u rrit në vitin 2013.