Në pranga banda shqiptaro-italiane, rrjet prostitucioni dhe droge

66

prostituzione2Një bandë shqiptaro-italiane e shfrytëzimit të prostitucionit dhe për trafik droge është shkatërruar nga një operacion i shtrirë në Shqipëri, Itali, Greqi dhe Rumani. Në sajë të operacionit policor “Tempesta”, u arrestuan 30 persona, 7 prej të cilëve u arrestuan në vendin tonë ditën e djeshme.

Në një artikull të publikuar në “Milano Today” mësohet se banda drejtohej që nga burgu, nga dy vëllezërit Geron dhe Mikail Hasanbelli, emra të lidhur me masakrën e Sanatoriumit, ku mbeti i vrarë babai i tyre, Aqif Hasanbelli.

Mësohet se banda shfrytëzonte të ardhurat nga prostitucioni për të blerë drogë. Janë identifikuar rreth 14 vajza, të moshës 23-40 vjeç, të cilat ishin vinin nga Maroku, Bullgaria, Moldavia, Shqipëria, Rusia, Rumania dhe punonin si prostituta.

Sipas mediave të shtetit fqinj, vajzat detyroheshin që të kryenin marrëdhënie seksuale në rrugë, ku për të ndenjur gjysmë ore me vajzat, duhej të paguaje çmimin nga 30 euro deri në 70 euro.

Ndërsa drejtuesi i kësaj bande Geron Hasanbelli u arrestua në qershor të vitit të kaluar si i dyshuar për plagosjen e Kasandër Nogës në Belgjikë dhe prej asaj kohe, mediat italiane sqarojnë se ai drejtonte nga burgu një bandë të shfrytëzimit të prostitucionit

Superoperacioni i policisë në vendin tonë

Strukturat e Policisë së Shtetit, në kuadër të operacionit ndërkombëtar “Tempesta” të zhvilluar në bashkëpunim me autoritet Policore italiane, greke dhe rumune, bënë të mundur kapjen e 7 personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar, si pjesë e një organizate kriminale, e cila merrej me shfrytëzim e femrave për prostitucion, si dhe me trafikimin e narkotikëve.

Në kuadër të këtij operacioni të zhvilluar prej ditës së djeshme deri mesditën e sotme, nga sektori për Trafiqet e Paligjshme në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me Drejtoritë e Policisë së Qarqeve Vlorë, Fier dhe Tiranë u bë i mundur arrestimi i shtetasve: Igli Metushi, 21 vjeç , nga Vlora, i cili akuzohet për pjesëmarrje në organizatë kriminale dhe trafikim i lëndëve narkotike; Gazmir Shkurtaj, 27 vjeç , nga Vlora, i cili akuzohet pjesëmarrje në organizatë kriminale dhe trafikim i lëndëve narkotike;  Daniel Lika, 28 vjeç, nga Fieri, i cili akuzohet për pjesëmarrje në organizatë kriminale, shfrytëzim prostitucioni dhe trafikim lëndësh narkotike; Eduarto Hoxha, 37 vjeç, nga Fieri, i cili akuzohet për trafikim i lëndëve narkotike; Kreshnik Bendo, 24 vjeç, banues në Tiranë, i cili akuzohet për pjesëmarrje në organizatë kriminale dhe shfrytëzim prostitucioni; Eugen Çaushi (vëllai i kreut të Bashkisë së Roskovecit), 30 vjeç, banues në Tiranë, i cili akuzohet për pjesëmarrje në organizatë kriminale dhe shfrytëzim prostitucioni; Edër Dorzi, 32 vjeç, banues në Tiranë, i cili akuzohet për pjesëmarrje në organizatë kriminale dhe shfrytëzim prostitucioni.

Sipas policisë,  në kuadër të këtij operacioni, i cili është zhvilluar njëkohësisht në Shqipëri, Itali, Greqi dhe Rumani u bë i mundur ekzekutimi i urdhër-arresteve për 30 persona, pjesë e 2 organizatave kriminale të lidhura me njëra-tjetrën, ajo e Milanos, e cila drejtonte prostitucionin e grave të reja nga Europa Lindore dhe ajo e Firences, e cila merrej me shpërndarjen e narkotikëve me origjinë nga Shqipëria në qendra të ndryshme të Italisë. Ky operacion është zhvilluar në kuadër të një hetimi të koordinuar nga Prokuroria e Milanos.

Në kuadër të këtyre hetimeve u mundësua zbardhja e mekanizmit të veprimtarisë kriminale të zhvilluar nga këto dy grupe kriminale në kontrollin e aktivitetit të prostitucionit dhe në ripërdorimin e të ardhurave të përftuara në blerjen e narkotikëve, si dhe u identifikuan në Greqi dhe Shqipëri, përgjegjësit e dërgesave të narkotikëve. Shtetasit e sipërcituar janë arrestuar me qëllim ekstradimi drejt shtetit Italian, ku do të përballen me akuzat e pjesëmarrjes në organizatë kriminale, shfrytëzimit të prostitucionit dhe trafikimit të lëndëve narkotike.