Assad: Ekziston ende mundësia e një sulmi amerikan në Siri

17

bashar-al-assadPresidenti Bashar al Assad shprehet se ende është i mundur një sulm amerikan kundër Sirisë, megjithëse momentalisht po diskutohet një plan diplomatik ndërkombëtar për shkatërrimin e stoqeve të armatimit kimik të Sirisë.

Assad i ka thënë televizionin venezuelas se politika amerikane ka si qëllim që “të kalohet nga një agresion tek tjetri”, duke e përmendur përfshirjen e SHBA-ve në Kore, Vietnam, Liban, Somali, Afganistan dhe Irak.

Gjithashtu Assad theksoi se “kësaj here u përmend preteksti i armëve kimike, herën tjetër do të jetë diçka tjetër”.

Megjithatë, ai ka thënë se Siria mbetët e përkushtuar që të respektojë konventat ndërkombëtare për armatimin kimik që e ka nënshkruar në bazë të një marrëveshje amerikano – ruse, ndërsa nuk sheh asnjë “pengesë” për implementimin e saj.

Mirëpo, Assadi, ka thënë se ekziston një mundësi që “terroristët”, një term që regjimi sirian e përdor kur ju referohet forcave rebele, do i pengojë ekspertët ndërkombëtar që të kenë qasje në “disa vende”.