“Unë besoj që arrestimi i ilir Kupës është një medalje në gjoksin e policisë së shtetit, policisë së Tiranës, FNSH-së, forcave RENEA, të gjithë ne. Keni dijeni për karrierën kriminale të Kupës, atë që ka ndodhur në Greqi, ndjekjen e vazhdueshme të policisë greke. Përtej shkëmbimit të informacionit në lidhje me atë që ka bërë dhe bashkëpunimit me policinë greke, kemi hetuar dhe çështje që kanë qenë goxha sensitive në Shqipëri. Hetimet vazhdojnë lidhur dhe me grabitje me armë që besoj se me arrestimin e Kupës do na çojnë në rrugë të mbarë. Aksioni vazhdon dhe tani që flasim dhe besoj se do ketë arritje të tjera. Ne jemi të vendosur për të luftuar krimin në çdo skutë, siç jemi shumë të vendosur që edhe ndaj atyre që e nxisin apo e provojnë të bëjmë atë që duhet” tha ai.
E ndërsa Kupa mendohet të ketë qenë me dy persona të tjerë, edhe këta nga grupi i të arratisurve nga Trikalaja, Ministri nuk dha detaje duke thënë se operacioni është në vazhdim.
“Mos prisni detaje prej meje, hetimet kanë nisur sëpari për shkak të arratisjes së tij në Greqi.Pastaj dhe për ngjarjet që kanë ndodhur në Tiranë. Tre ditët e fundit janë intensifikuar goxha dhe rezultatet erdhën, detaje lidhur me operacionin nuk ia vlen të jap pasi operacioni vazhdon. Pres rezultate të tjera, policia e shtetit është në këmbë dhe shumë shpejt rezultatet do flasin akoma më fort, sesa zeri i të gjithë atyre që çirren sot duke majisur paniç tek qytetarët. Shumë shpejt do merrni vesh” deklaroi Tahiri.
I pyetur nga gazetarët se kujt i mbetet merita në finalizimin e këtij operacioni, ai u përgjigj:
“Bashkëpunimi me palën greke është një element sigurisht. Përtej shkëmbimit të informacionit edhe hetimet lidhur me atë që ka ndodhur në Tiranë, grabitjet e fundit me armë na çuan në drejtim të mbarë” përfundoi Ministri.
Ilir Kupa u vu në prangat e policisë paraditen e sotme në periferi të Tiranës. Arrestimi është kryer në një banesë në Qafën e Kasharit. Mësohet se Ilir Kupa u arrestua në një banesë në zonën e Qafë Kasharit.
Sipas policisë ai ka bërë rezistencë dhe ka qëlluar me armë në ajër kur ka parë policinë. Një tjetër element i rëndësishëm ishte dhe fakti se Kupa për të vështirësuar identifikimin e tij kishte lyer flokët me ngjyrë të verdhë në portokalli.