A po përgatiten rumunët dhe bullgarët për emigracion të gjerë në Evropën Perëndimore?

49

bullgariNga 1 janari 2014 rumunët dhe bullgarët mund të punojnë pa kufizime në shtete të tjera të BE-së. Por pjesa më e madhe e emigracionit nga këto vende tashmë është kryer, mendojnë ekspertët.

Nicu me shumë dëshirë do të kishte qendruar në atdheun e tij, Rumani. 25 vjet me radhë ai ka punuar si elektriçist për një kompani të madhe energjitike në perëndim të vendit, një ish ndërmarrje shtetërore, blerë më pas nga investues të huaj. Gjatë viteve të fundit shumë kolegë të tij e kanë humbur punën. 45-vjeçari fillimisht e ruajti vendin e punës. “Por për shkak të shkurtimit të personelit më është dashur të bëj edhe turne të dyfishta. Lodhesha aq shumë, sa dy herë më janë mbyllur sytë në timon”, thotë Nicu, i cili nuk dëshiron të thotë mbiemrin. Në fund edhe ai e humbi punën.

Për të gjetur një punë të re në sektorin privat, ose për një aktivitet privat, i duhet të kryejë një kurs kualifikimi, megjithëse bëhet fjalë për një fushë, në të cilën ka punuar më shumë se dy dekada. 1000 euro kushton kursi dhe Nicu i papunë duhet ta paguajë nga xhepi i tij. Kjo shumë është sa dy paga mesatare mujore në Rumani. “Dhe unë nuk e di si do vazhdoj të financoj studimet e vajzës”, thotë elektriçisti. Për këtë arsye ai mendon që në 2014-n të kërkojë një punë në perëndim të Evropës, p.sh. në ndërtim ose bujqësi. Megjithatë nuk është i sigurt, nëse do të guxojë ta ndërmarrë këtë hap: “Rreziku i shfrytëzimit si punëtor nga Evropa Juglindore është i madh jashtë vendit.”

Megjithë lëvizjen e lirë të punëmarrësve në BE, që prej 1 janarit 2014 do të vlejë edhe për rumunët dhe bullgarët, “njerëzit në Rumani dhe Bullgari nuk kanë bërë gati valixhet”, mendon Sven-Joachim Irmer, drejtor i zyrës me jashtë të fondacionit Konrad Adenauer në Rumani dhe Republikën e Moldavisë. Është më se normale, që qytetarët e BE-së të kërkojnë punë, apo vende studimi në shtete të tjera të Unionit. “Vala e imigrantëve”, për të cilën paralajmërojnë shumë medie në Evropën Perëndimore, nuk do të ndodhë.

Punë të ligjshme jashtë vendit – jo risi për rumunët dhe bullgarët

Rumania dhe Bullgaria janë anëtare të BE-së që nga vitit 2007. Qysh para 2014-s qytetarët e këtyre vendeve mund të punonin legalisht në Gjermani, nëse kërkonin një leje pune në Zyrën Federale të Punësimit. Njerëz me kualifikim të lartë, të cilët punojnë në profilin e tyre, familjet e tyre dhe ata, që kryenin kualifikim profesional, ishin të çliruar nga ky rregull dhe mund të punojnë pa kufizim në Gjermani. Pra ndryshimet, që hyjnë në fuqi nga 1 janari 2014, prekin para së gjithash punonjësit e pakualifikuar nga Rumania dhe Bullgaria, të cilët deri tani mund të punojnë vetëm 6 muaj në vit si fuqi punëtore sezonale dhe që tani mund të kërkojnë edhe punë afatgjata.

Veç kësaj kufizimet ligjore në praktikë nuk kanë thuajse asnjë ndikim në valën e imigracionit, mendon Victoria Stoiciu, menaxhere programi në fondacionin Friedrich Ebert në Rumani, që ndër të tjera hulumton rreth migracionit të punës. “Këto kufizime madje e favorizojnë migracionin e paligjshëm.”

Gjithnjë e më shumë bullgarë kthehen në atdhe pas studimeve jashtë

Shifra të sakta për numrin e rumunëve, që planifikojnë të emigrojnë në shtetet perëndimore të BE-së pas 1 janarit 2014, nuk ka. Aktualisht sipas një studimi rreth 3 milionë rumunë jetojnë jashtë vendit. Në Bullgari instituti Afis pak kohë më parë kreu një anketim, në të cilin pyeste qytetarët për planet e tyre potenciale për të emigruar. Rezultati: rreth 17 për qind e bullgarëve mendojnë të largohen nga vendi duke filluar nga viti i ardhshëm dhe të kërkojnë një punë në një shtet tjetër të BE-së. Por ky nuk është një fenomen i ri: që në 2008-n sipas sondazheve një e pesta e bullgarëve kishte ndër mend të emigronte.

Punëtorë sezonalë nga të dy vendet kanë të drejtë të punojnë më së shumti 6 muaj në GjermaniPunëtorë sezonalë nga të dy vendet kanë të drejtë të punojnë më së shumti 6 muaj në Gjermani

Dieter Emmer, i cili drejton filialin bullgar të sipërmarrjes gjermane Grammer, pret që para së gjithash teknikët dhe inxhinierët nga Bullgaria të kenë shanse shumë të mira në tregun gjerman të punës: “Gjermania po del nga recesioni dhe ka nevojë urgjente për këtë lloj fuqi punëtore”. Përvoja e bullgarëve në Gjermani “do të jetë më vonë shumë e vlefshme në industrinë bullgare”, thotë Emmert. “Pyetja është, se si mund të rikthehen në Bullgari këta njerëz?”

Me këtë pyetje merret Mila Natudova. Pas një praktike menaxhimi në SHBA ajo punon për shoqatën e bullgarëve të arsimuar jashtë vendit. Të rinjtë bullgarë, që përfundojnë studimet jashtë, me kthimin në atdhe zhgënjehen nga burokracia, mundësitë e kufizuara për karrierë dhe pagat e ulëta, thotë Natudova. Kjo duhet të ndryshojë, në mënyrë që Bullgaria të bëhet tërheqëse për njerëz me kualifikim të lartë. “Megjithatë sipas anketimeve tona gjithnjë e më shumë bullgarë janë të gatshëm të kthehen në atdhe pas një studimi jashtë”, thotë Natudova./DW/