Kryeministri Italian Enriko Letta do të japë sot dorëheqjen, pasi një votim brenda partisë së tij vendosi që të mbështesë një qeveri të re, që do të udhëhiqet nga lideri i partisë, Matteo Renzit.
Në votimin brenda partisë 132 anëtarë të partisë votuan pro-ndryshimit dhe vetëm 16 mbështetën vazhdimin e kabinetit të tij. Dy anëtarë të tjerë të kryesisë së PD-së abstenuan.
Matteo Renzi, kryebashkiaku i Firences dhe një prej politikanëve më karizmatikë dhe popullorë në Itali do të jetë kryeministri i ri i Italisë. Ai e kishte kritikuar qeverisjen e Lettës që në momentin e zgjedhjes në krye të PD-së në muajin ne muajin Dhjetor.
Sipas mediave italiane Renzi do të jetë i vetëm në drejtimin e qeverisë por bashkë me një kabinet të ri ministrash. Il Corriere della Sera shkruan se qeveria e re do të jetë e gatshme brenda shtatë ditësh.



