Rama, 21 janari: Populli jo më peng i një pushteti që e shqyen dhe e grabit

53

Rama-homazhNë përvjetorin e tretë të 21 janarit, kryeministri Rama ka pritur familjarët e katër viktimave.  Kryeministri theksoi se shumë gjëra kanë ndryshuar nga 21 janari i tri viteve më parë, por ajo që ka mbetur e njëjtë është drejtësia e munguar. “Pa drejtësinë që bën drejtësi, asgjë nuk e bën më të lehtë 21 janarin”, tha Rama.

“Ky popull nuk është më peng i votës së vjedhur. Ky vend nuk është më peng i një pushteti që e shqyen dhe e grabit sa të mundet.

Sot Shqipëria nuk rrezikon më të kthehet në 21 janarin e tri viteve më parë. Sot pushteti është në duart e popullit dhe qeveria nuk është më përballë popullit, por në krye të tij për ta çuar vendin para.

Atë ditë 4 shqiptarë, burra e baballarë të varfër i mbetën këtij bulevardi si shenja të pashlyeshme në trup. Shenja për të gjithë shqiptarët e gjeneratave që do të kalojnë mbi këtë rrugë dhe do t’i prekin si plagët e një të shkuare që nuk duhet përsëritur. Harresa nuk mund të jetë në asnjë rast alternativa jonë përballë drejtësisë. Unë nuk e kam harruar për asnjë çast se ne nuk u votuam për të zëvendësuar një qeveri me një tjetër, por për të ndryshuar sjelljen e qeverisë ndaj popullit.

Do të luftojmë me çdo mjet kushtetues dhe ligjor që drejtësia të bëjë drejtësi, që njerëzit para saj të jenë të barabartë, pavarësisht pushtetit, parave apo lidhjeve që kanë.

Shumë gjëra kanë ndryshuar, por nuk ka ndryshuar ferri i sistemit të drejtësisë, ku përpëliten të varfrit e të dobëtit. Shqipëria dhe shqiptarët nuk kanë më durim. Reforma e sistemit të drejtësisë është imperativ. Aleanca për Shqipërinë Evropiane ka detyrimin të ngulmojë për këtë çështje. Shumë gjëra kanë ndryshuar dhe shumë do të ndryshojnë, por sado të ketë ndryshuar asgjë nuk do ta bëjë më të lehtë 21 janarin e viteve në vijim pa drejtësinë që bën drejtësi. Jo vetëm për 4 viktimat, por për çdo shqiptar që sheh përditë ferrin e sistemit të drejtësisë”.