“Në rrugën e tyre drejt pranimit, kandidatët duhet të përmbushin edhe kushte të caktuara, në përputhje me situatën e tyre specifike. Për Serbinë ka qenë bashkëpunimi me Gjykatën Ndërkombëtare për ish Jugosllavinë në Hagë. Këtë kusht Beogradi e ka përmbushur tashmë me arrestimin dhe dorëzimin e kriminelëve të luftës Ratko Mladic dhe Radovan Karaxhic. Një kusht kryesor tani është raporti me Kosovën. Beogradi nuk e njeh pavarësinë e Kosovës të shpallur në vitin 2008. Megjithatë, Qeveria në Beograd nënshkroi një marrëveshje me Qeverinë e Kosovës, e cila parashikon një autonomi të gjerë për komunitetin serb në Kosovë, por në të njëjtën kohë kufizon ndikimin e drejtpërdrejtë të Beogradit në këto komunitete”, u shpreh Fyle.
Sipas tij, gjatë negociatave për anëtarësim në BE do të vazhdojë të vëzhgojë me shumë vëmendje marrëdhëniet e Serbisë me Kosovën. Në fund të këtij procesi është e nevojshme një marrëveshje detyruese ligjore për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, thuhet nga BE. Për të hyrë në Bashkimin Europian Beogradi nuk duhet të njohë zyrtarisht Kosovën si shtet të pavarur. Këtë nuk e kanë bërë deri tani edhe pesë anëtarë të tjerë të BE-së, Spanja, Greqia, Qipro, Rumania dhe Slovakia.