Sipas “Europe 1”, që citon disa dëshmitarë, Valérie Trierweiler ndodhet në një gjendje “lodhje nervoze ekstreme”, një situatë e cila është e pastabilizuar akoma.
Sipas burime të tjera të cituara po nga “Europa 1”, Presidenti francez nuk e ka vizituar ende në spital të dashurën e tij, Valérie Trierweiler. Informacione këto që Pallati Presidencial Elysée nuk ka dashur t’i konfirmojë.
Por, shtypi francez flet se marrëdhënia mes tyre, tashmë ka përfunduar. Revista franceze “VSD” ka publikuar lajmin ku bëhet fjalë për ndarjen midis Hollande dhe Valérie Trierweiler. Një foto që shoqëron çiftin e vendosur në kopertinën e revistës, shoqërohet me fjalën që tregon ndarjen ‘C’est fini’. Revista “Closer” do të publikojë informacione të reja të premten në mëngjes të shoqëruar me foto të reja ekskluzive.
Gjatë konferencës së tij për shtyp, Presidenti francez Hollande preferoi të mos prononcohet mbi situatën në të cilën ndodhet, duke e perifrazuar shkurt me një fjali, se është një situatë e vështirë, që preferon të zgjidhet në intimitet.
Por, një sërë kritikash janë drejtuar ndaj presidentit më pak popullor që prej mbarimit të luftës së dytë botërore. Paralelizma janë hequr mes tradhtive të tij personale me tradhtitë e larta politike ndaj elektoratit, ku më i spikatur është fakti që megjithëse ka premtuar një politikë të majtë fiskale, rrugës e ka devijuar atë në një politikë të qendrës së djathtë.
“Hollandë tradhton gratë, siç tradhton dhe elektoratin e tij” ishte një nga shprehjet më pikante që analistët kanë përshkruar si tipar kryesor të personalitetit të tij.