“Kjo qeveri dhe kjo mazhorancë është mjaft e vendosur dhe mjaft e përkushtuar për të forcuar sundimin e ligjit dhe për të luftuar krimin, për të luftuar korrupsionin, për të luftuar informalitetin si rruga më e sigurt për të mbrojtur interesin publik. Premtimi kryesor është standarde më të larta për sigurinë dhe mirëqenien e qytetarëve shqiptarë. Dhe për këtë na duhet edhe integrimi në Bashkimin Evropian. Në rast se nuk realizohen këto dy të parat edhe kjo e fundit natyrisht që nuk është ajo që mendojmë dhe dëshirojmë të gjithë”, është shprehur kreu i Kuvendit.
Meta komentoi edhe buxhetin e vitit 2014, ku ka veçuar faktin se arritja më e madhe është krijimi i mundësisë së shlyerjes së borxheve që qeveria ka ndaj biznesit për veprat publike të realizuar nga kompanitë private. Sipas tij, kjo gjë do të çlirojë ekonominë nga ngërçi i krijuar.
Sa i takon ndryshimit që do të pësojë tatimi mbi fitimin, ai siguroi se kjo masë nuk do të ndikojë në klimën e biznesit.
Meta vizitoi sot qytetin e Lezhës, ku mori pjesë në një aktivitet të organizuar me rastin e festave të fundvitit për fëmijët e policëve të rënë në krye të detyrës.