SHBA-Shqipëri: Bashkëpunim në fushën e drejtësisë

59

ilir-meta22Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta priti sot Drejtorin për Çështjet e Evropës Jug-Qendrore të Departamentit të Shtetit, Jonathan Moore. Ata biseduan mbi bashkëpunimin dypalësh, ecurinë e procesit të integrimit evropian dhe mbi zhvillimet e fundit në rajon. Meta dhe Moore ndanë bindjen se Shqipëria ka bërë progres të konsiderueshëm gjatë këtij viti duke vlerësuar njëkohësisht progres raportin e Komisionit Evropian dhe rekomandimet pozitive të tij.

Moore shprehu mbështetjen e SHBA-ve në procesin e integrimit evropian dhe vuri në dukje rëndësinë e vazhdimësisë së reformave të ndërmarra.

Meta shprehu vlerësimin e tij për mbështetjen konstante të SHBA-ve ndaj Shqipërisë si në planin dypalësh, ashtu edhe në drejtim të integrimit evropian. Në këtë kuadër, Meta dhe Moore theksuan rëndësinë e forcimit të bashkëpunimit në fushën e drejtësisë dhe forcimit të ligjit.

Në përfundim, Kryetari i Kuvendit Meta dhe Moore diskutuan edhe mbi zhvillimet në rajon, ku u evidentua roli konstruktiv i Shqipërisë dhe u nënvizua se perspektiva e Bashkimit Evropian është garancia e forcimit të stabilitetit në Ballkanin Perëndimor.