Kosovë, nis rivotimi në veri të Mitrovicës, prani e madhe policore
Sot ka nisur rivotimi në tre qendra votimi në Veri të Mitrovicës. Ndërsa hapja e qendrave dhe sjellja e materialeve është shënuar pa ndonjë incident, raportohet nga Kohanet, se forca të mëdha policore gjenden përreth qendrave të votimit. Bëhet fjalë për forca policore që janë edhe pjesëtare të organizatës së ashtuquajtur serbe“Civilna zastita” (Mbrojtja civile).
Për momentin numri i votuesve ngelet relativisht i vogël, ndonëse regjistri shënon 23 mijë votues me të drejtë vote.
Kryetarja e KQZ-së Valdete Daka, një ditë para rivotimit ka deklaruar se janë ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme të sigurisë dhe se kësaj radhe nuk do të tolerohet dhuna.
”Kemi marrë mësim nga hera e kaluar dhe besojë se tashmë e kanë kuptuar të gjithë se duhet të jemi më të vëmendshëm dhe më të përgatitur”, ka thënë Daka.
Për zgjedhjet e sotme në veri të Mitrovicës, Policia e Kosovës EULEX-i dhe KFOR-i kanë përgatitur masa të forta sigurie në mënyrë që anëtarët e komiteteve në vendvotime të mund të kryejnë punën e tyre dhe procesi zgjedhor të zhvillohet në mënyrë të rregullt dhe të sigurt, thuhet në një deklaratë të përbashkët të Policisë së Kosovës, EULEX-it dhe KFOR-it.
Përsëritja e votimeve në këto tri qendra, vjen si pasojë e dhunës që ishte ushtruar nga një grup njerëzish më 3 nëntor që kishte sjellë deri te mbyllja e parakohshme e tyre. Më pas, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve kishte marrë vendim që votimet në këto 3 qendra të përsëriten më 17 nëntor.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, ka thënë se ka tashmë një plan operativ, i cili do të zbatohet për të siguruar mbarëvajtjen e gjithë procesit të rivotimeve në këto qendra në Mitrovicën veriore.
“Policia e Kosovës do të jetë e kyçur dhe e përgatitur për mbajtjen e rendit dhe qetësisë publike në vend që do të nënkuptojë para, gjatë dhe pas procesit të zgjedhjeve”.
“Pra, do të bëhet sigurimi i qendrave të votimit, këshillave komunale dhe zgjedhjeve, depove komunale, qendrës së numrit dhe depos qendrore deri në përfundim të numërimit të votave. Po ashtu, do të bëhet edhe përcjellja e sigurt dhe sigurimi i gjithë materialit sensitiv zgjedhor nga të gjitha destinacionet e parapara deri në përfundim të këtij operacioni”, ka thënë Kelani.
Masat e shtuara të sigurisë, po ndërmerren në koordinim edhe me EULEX-in dhe KFOR-in.
Një zëdhënëse e misionit të EULEX-it në Prishtinë, Irina Gudeleviq, ka thënë se qytetarët do të kenë më shumë siguri kësaj radhe, pasi që rreth qendrave të votimit do të ketë prani më të madhe të policisë së Kosovës, të cilat do të monitorohen nga afër edhe nga policia e EULEX-it.