“Topi i Artë”, zbulohen kandidatët

56

topi i arteLionel Mesi, Kristiano Ronaldo, Frank Riberi dhe Zlatan Ibrahimoviç janë vetëm katër nga futbollistët që tashmë zyrtarisht mund të cilësohen kandidatë për të fituar “Topin e Artë 2013”. FIFA dhe revista “France Football” kanë publikuar dje listën me 23 emra të lojtarëve që pretendojnë triumfin në këtë edicion, ku votimi nga trajnerët e kombëtareve, kapitenët e tyre dhe gazetarë nga të gjitha vendet e botës, do të përcaktojnë nëse do të vazhdojë hegjemonia e Lionel Mesit, apo nëse këtë radhë do të jetë një futbollist tjetër që do të cilësohet më i miri.

Lista prej 23 emrash është ndërtuar nga ekspertë të Komitetit të Futbollit të FIFA-s, përkrah një grupi ekspertësh të “France Football”, revistës prestigjioze që ideoi këtë trofe që u kthye në çmimin më të rëndësishëm individual për futbollistët në botë. Pas votimit të parë, FIFA do të publikojë emrat e 3 finalistëve në fillimin e dhjetorit, ndërsa më 13 janar 2014 do të mësohet edhe fituesi i këtij edicioni, në mbrëmjen gala që do të organizohet në Zyrih.

Ashtu siç pritej, lista është dominuar nga futbollistët e Bajern Mynihut, të cilët mbyllën sezonin 2012-2013 duke fituar Bundesligën, Kupën e Gjermanisë dhe Ligën e Kampioneve. Jo rastësisht, mes tyre është edhe një prej favoritëve kryesorë për të fituar trofeun, francezi Frank Riberi, i cili ka mbështetje të fuqishme nga federatat europiane pas iniciativës së vetë presidentit të UEFA-s, Mishel Platini. Ky i fundit, prej dy muajsh po bën thuajse një fushatë të mirëfilltë publicitare për të bindur të gjithë të votojnë për Riberi, në mënyrë që trofeu t’i shkojë francezit, ashtu siç ndodhi me çmimin “Lojtari i Vitit UEFA”.

Kuptohet që rivalët e tij më të mëdhenj do të jenë dyshja Mesi-Ronaldo, ndërsa këtë radhë mendohet se votat do të ndahen mes shumë futbollistëve, duke pasur parasysh numrin e madh të lojtarëve të jashtëzakonshëm që gjenden në listë dhe formës që kanë treguar.

Sipas ndarjes statistikore, kampionati gjerman i futbollit është më i përfaqësuari në këtë listë, me 7 lojtarë, i ndjekur nga kampionati spanjoll me 6, kampionati anglez me 5, kampionati francez me 4 dhe ai italian me vetëm 1 përfaqësues. Gjermania është shteti më i përfaqësuar në listë, pasi janë 5 futbollistë gjermanë mes 23 kandidatëve, ndërsa shtetet e tjera kanë 1 apo 2 lojtarë.

Paralelisht me listën e lojtarëve, FIFA ka publikuar edhe listën me 10 kandidatët për çmimin e “Trajnerit më të mirë 2013. Lista është e mbushur me emra të njohur: Ferguson, Venger, Benitez, Del Boske, Ançeloti, Heinkes, Konte, Klop, Murinjo dhe Skolari. Por të gjithë janë të bindur se trofeu do t’i shkojë gjermanit Jup Heinkes, i cili ndërtoi dhe udhëhoqi Bajernin e sezonit të kaluar duke thyer shumë prej rekordeve të futbollit gjerman.