Dasma “e thjeshtë” e Aurela Gaçes

163

dasma aurelesKa vetëm dy ditë që është martuar. Premtoi se nuk do të bënte një dasmë të madhe, por ajo si gjithnjë ka bërë zhurmë. Fotografitë e dasmës së saj tashmë po bëjnë xhiron e internetit. Ftesa po ashtu u komentua. “Shekulli” do t’ju sjellë sot disa nga fotografitë e realizuara në këtë ceremoni martesore, ku sigurisht që nuk mungonin edhe emra të njohur të botës muzikore në Shqipëri. përmendim këtu : Dashnor Dikon, Elton Dedën, Aleksandër Gjokën, Eli Farën dhe të tjerë këngëtarë të njohur jo vetëm në Shqipëri, por edhe në kudo në Diasporë. Miqtë e saj pohojnë se kjo ka qenë një dasmë e jashtëzakonshme.

E në fakt, përmasat e kësaj ceremonie nuk ishin kaq të mëdha, një javë më parë, atëherë kur vetë këngëtarja Aurela Gaçe shkruante kështu: “Për miqtë që më japin këshillë të mos bëj dasmë bombastike, u them se do të jetë e thjeshtë. Madhështia e dasmës do të jetë tek ata që do të më rrethojnë, tek qejfi i madh që do të bëjmë. Kam miq artistët më të mirë të vendit. Unë po bëj dasmë që ta kem kujtim me familjen time të re që kam krijuar, në mënyrë që goca ta ketë kujtim, prindërit të gëzohen dhe ata që më duan e di që do të gëzojnë vërtet. Nuk kam qenë ndonjëherë tipi i njeriut që mburrem me emrin e sandaleve e çantave, dhe as me vendet e shtrenjta ku mund të kalohen pushime vipash. E nuk kam pse të ndryshoj tani. I kam lajmëruar të ftuarit të marrin bukë me vete. Do martojmë Malon, me tre pale saze (kështu thotë kënga e famshme e humorit fierak). Unë do të kem 2 palë saze. Po i bej gati edhe gazetarët që tek dasma jonë nuk do të ketë para të harxhuara kot që të merret vesh se kush harxhon shumë bëhet i famshëm. Tek dasma jonë, diçka do të jetë pa limit. Jo para, por Qejffff”. Këtë status këngëtarja e ka postuar vetëm katër ditë përpara ceremonisë martesore. Ajo u shfaq krejtësisht ndryshe nga nuset tradicionale duke konfirmuar edhe një herë tjetër se mbetet kurdoherë origjinale.

mix aurela“As nuk besoja tek fjala martesë”

Para se këngëtarja të sillte në jetë vajzën që po ashtu ka shkëlqyer në dasmën e prindërve të saj, askush nuk e mendonte se Aurela Gaçe do të martohej ndonjë ditë. Dhe këtë bindje ia kishte ngulitur vetë këngëtaja publikut shqiptar. Madje edhe ajo vetë e ka pranuar këtë gjatë përgatitjeve të fundit të ceremonisë martesore. Ajo shkruan kështu në profilin e saj zyrtar në portalin social Facebook: “Ju falenderoj të gjithëve për urimet. Në kokë të beqarëve. Më duket pak çudi edhe vete se si edhe unë do të martohem. Kam qenë një nga vajzat që as e mendoja dhe as e doja martesën. As nuk besoja tek fjala “martesë”. Por mesa duket, atëherë kur mendoja ashtu, ishte sepse akoma nuk e kisha njohur njeriun me të cilin do të doja të plakesha. Të ardhmen nuk mund ta dijë askush, por tani që kam marrë vendimin, ndihem mirë”.

Një nga gjërat më të çuditshme të paradasmës ka qenë edhe ftesa e cila u është shpërndarë miqve të saj.  Të gjithë ata që kanë menduar se kjo ka qenë një nga idetë e tjera “të çmendura” të Aurela Gaçes, nuk ka pasur të drejtë. Këtë na e pohon vetë këngëtarja. “Kush nga miqtë e ka parë ftesën e krijuar për dasmën time dhe të Skerdit, menjëherë ka reaguar me buzën në gaz. Dhe ky ishte qëllimi i asaj ftese. Në media e kanë quajtur ide Origjinale… dhe të gjithë ma kanë faturuar mua këtë ide. Mirëpo, e vërteta është se autorësinë e asaj ftese e ka tjetërkush. Ai është Armand Peza. Gjatë diskutimit për ftesat, ai na pyet: A e doni ftesën serioze, klasike apo … Po ç’klasike e serioze, i thamë ne. më pas ai na dha disa ide. Dhe një nga këto ide ne e pëlqyem. Vendosëm që kjo të ishte ftesa e dasmës sonë”.  Kështu ka deklaruar këngëtarja cila menjëherë pas kësaj i ka përcjellë falënderimet Armandit, i cili sigurisht që bëri një punë të mirë për këtë ceremoni martesore. Veshjet e çiftit dhe dekorimi në fakt është pëlqyer nga të gjithë të pranishmit në dasmë.